Presidentja 'fluturon', 12 prokurorë presin dekretimin e përhershëm - NACIONALE

Presidentja 'fluturon', 12 prokurorë presin dekretimin e përhershëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përveç emrit të Blerim Isufajt që gjendet në tavolinën e presidentes, Vjosa Osmani, për dekretim po presin edhe 12 prokurorë. Për dallim nga Isufaj që është në pritje nëse Osmani do ta dekretojë për Kryeprokuror, prokurorët janë në pritje të dekretimit të përhershëm nga presidentja e vendit. Një gjë e tillë është e paraparë edhe me Ligjin për Këshillin Prokurorial. Deri atëherë, jo pak vështirësi janë shkaktuar në rastet që i kanë këta prokurorë.

Në Panama, Kosta Rikë, Amerikë e Lituani. Në të gjitha këto shtete qëndroi për vizitë ditëve të fundit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Megjithatë, kur të kthehet, në zyrë Osmanin pritet ta presin disa vendime të rëndësishme. Veç dekretimit të Kryeprokurorit, Osmani duhet t’ua jap dekretimin e përhershëm edhe 12 prokurorëve të tjerë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar për gazetën Nacionale se i kanë dërguar emrat në presidencë, por që deri më tani nuk kanë marrë përgjigje. KPK-ja e ka pranuar se kjo situatë, po u shkakton probleme.

“Ju informojmë se në proces të dekretimit janë 12 prokurorë për riemërim me mandat të përhershëm, dosja e të cilëve është dërguar nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes së Kosovës në afatet e parapara ligjore. Natyrisht janë evidente vështirësitë që krijohen me rastin e mosdekretimit me kohë të tyre për shkak të lëndëve që janë në punë dhe të cilat presin të trajtohen nga ana e tyre Lidhur me vonesën e dekretimit, ju lutem për informata më të detajuar drejtojuni Zyrës së Presidentes së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Kurse, nga zyra e presidentes, edhe pas tri ditësh nuk kanë kthyer përgjigje se ku është aktualisht procesi i dekretimit të prokurorëve.

Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Nacionalen se një gjë e tillë është e rregulluar edhe me ligj.

“Natyrisht, duke pas parasysh numrin e madh të rasteve penale dhe nevojën e shpejt për trajtimin e tyre, në këtë raste duhet domosdoshmërisht të veprohet brenda afateve të arsyeshme. Si Këshilli Prokurorial ashtu edhe Presidenca duhet të kujdesen në kontununitet që pozitat e prokurorëve por edhe pozitat e stafit mbështetës të mos mbeten vakante, por se të plotësohen brenda afateve ligjore”, ka thënë ai për Nacionalen.

“Prokururorëve të cilëve iu përfundon mandati fillestar, KPK merr një rekomandim nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës për riemërimin apo jo të një prokurori dhe KPK brenda afatit 45 ditë vendos për riemërimin apo jo të atij prokurori gjithnjë duke u bazuar në vlerësimin e performances së prokurorit me mandate fillestar. Këshilli Prokurorial është i obliguar që ti respektojë afatet ligjore për dekretimin e përhershëm të prokurorëve, pasi këto afate janë përcaktuar nga legjislacioni në fuqi dhe mos respektimi i tyre do ta vështirësonte punën e prokurorëve”, përfundoi Makshana.

Çka thotë ligji?

Sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Presidenti është institucion kompetent për emërimin dhe riemërimin e prokurorëve, gjithnjë sipas propozimeve të KPK-së. Në këtë Ligj është përcaktuar një afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh për dekretimin dhe emërimin e kandidatëve të propozuar nga Këshilli për pozitën prokuror i shtetit.

Pra, sipas ligjit në fuqi presidenca është e obliguar të dekretojë kandidatët e propozuar nga KPK brenda afatit të lartcekur. Mirëpo, në rast se Presidenca brenda këtij afati 60 ditor nuk i dekreton kandidatët e propozuar, atëherë Ligji për KPK-në ka paraparë edhe një mundësi tjetër, ku Këshilli mund sërish edhe një herë të paraqesë propozimin e kandidatëve që nuk janë dekretuar herën e parë por tani së bashku me propozimin e paraqitur i bashkangjet edhe një arsyetim plotësues.

Pas këtij propozimi të dytë, presidenca emëron prokurorin sipas propozimit të Këshillit.

Lajme të ngjashme