Venecia ‘shuplakë’ ministrisë për Konfiskimin e Pasurisë: Rrezik për politizim dhe s’garanton luftim të korrupsionit - NACIONALE

Venecia ‘shuplakë’ ministrisë për Konfiskimin e Pasurisë: Rrezik për politizim dhe s’garanton luftim të korrupsionit

1 vit më parë

nga Besian Beha

Përveç opinionit për Vetingun, Komisioni i Venecias i ka bërë publike edhe rekomandimet në lidhje me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në opinionet e publikuara në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, drafti i ligjit për këtë Byro vlerësohet se ka shumë mangësi e paqartësi. Nacionale sjell detaje.

Rrezik për politizim të Byrosë. Mos-garancë për luftim të korrupsionit, e shkelje të të drejtave të njeriut. Këto janë vetëm tri nga shumë vërejtjet që i ka adresuar Komisioni i Venecias ndaj Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji do të zbatohej për pasuritë e përfituara në mënyrë të pajustifikueshme që nga 17 shkurti 2008, brenda 10 viteve kur zyrtarët kanë pushuar së ushtruari këto funksione. Gjithnjë sipas propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë, këto hetime i kryen Byroja, e cila nëse vëren se ka mospërputhje në pasuri mbi 25 mijë euro, atëherë i nis hetimet.

Komisioni i Venecias se konfiskimi i pasurisë në rrugën civile, do të ishte rrezik për shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Komisioni i Venecias thekson se një konfiskim i tillë do të krijoj rrezik të shkeljes së të drejtave të njeriut. Prandaj, masat mbrojtëse procedurale në konfiskimin civil, janë po aq thelbësore sa në procedurën penale. Për më tepër konfiskimi duhet të jetë në pajtueshmëri me garancitë e të drejtave të njeriut si e drejta e pronës, dhe me kërkesa për gjykim të drejtë. Gjatë qëndrimeve në Prishtinë, përfaqësuesit e kuptuan se korrupsioni është problem i madh. Megjithatë, raportuesit fituan përshtypjen se vetëm një mjet i tillë nuk do të mjaftonte për të arritur përparim të rëndësishëm”, thuhet në opinionin e publikuar nga Komisioni i Venecias.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se themelimi i një Byroje për Konfiskimin e Pasurisë, mund të jetë edhe rrezik për përzierje të kompetencave.

“Është gjithashtu e diskutueshme nëse themelimi i një organi të tillë, do të bënte luftimin e korrupsionit më efektiv, ose do ta ndërlikonte edhe më shumë gjithë sistemin përfshirë Policinë, Prokurorinë, Organet tatimore e doganore e Agjensinë Kundër Korrupsionit. Sistemi i ri i verifikimit dhe konfiskimit duhet të jetë i kombinuar me sistemin ekzistues të deklarimit të pasurisë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për t’iu nënshtruar zyrtarët dy procedurave të ndryshme të verifikimit për të njëjtën pasuri. Byroja do ta kopjojë punë e Agjencisë, dhe kjo do të mund të shkaktonte një konfuzion, kompleksitet dhe sfida ligjore”, thuhet në rekomandimin e Komisionit të Venecias.

Një temë e rëndësishme për të cilën ka dhënë opinion Venecia, është në lidhje me procedurën civile të konfiskimit të pasurisë.

“Komisoni i Venecias vëren se futja e konfiskimit civil është e menduar të jetë një masë e rëndësishme e luftimit të korrupsionit. Në të njëjtën kohë, Komisioni tërheq vëmendjen për faktin se sipas Konventës së KE-së mbi pastrimin, kontrollin e sekuestrimit dhe konfiskimit, termi konfiskim nënkupton një dënim apo masë të urdhëruar nga një gjykatë pas procedurës në lidhje me veprën penale, që rezulton me privimin përfundimtar të pasurisë. Këshu, masat e konfiskimit janë të lidhura me procedurën penale. Megjithatë, Komisioni ka gjetur një numër shtetesh të fuqishme që e përdorin konfiskimin e pasurisë edhe në nivelin civil”, thuhet në opinion.

Rrezik për politizim të Byrosë

Njëra ndër vërejtjet kryesore që e ka gjetur Komisioni i Venecias ndërlidhet me rrezikun për politizm të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Këto procedura parashikojnë një sistem të politizuar emërimesh. Komisioni i Venecias thekson se Byroja do të ketë për detyrë të luftojë korrupsionin që është çështje e ndjeshme politike. Garancitë e forta të pavarësisë do të jenë të nevojshme për t’i mundësuar Byrosë t’i rezistoj çdo presioni politik. Kërkesa për zgjedhjen e drejtorit me shumicë 2/3 do të ishte e preferueshme, e Komisioni vëren se kjo mund të kërkojë ndryshime kushtetuese që mund të jetë vështirë e arritshme për një kohë të shkurtër. Për më tepër edhe në rastin e zgjedhjes me shumicë, prap mbetet rreziku i ndërhyrjes politike, nëse shumica dhe opozita do ta zgjedhnin një drejtor. Ka mundësi të tjera për ta siguruar pavarësinë e Byrosë. Do të ishte e këshillueshme që Drejtori të zgjidhej nga jashtë, një komision i përbërë nga institucione të pavarura, ose ekspertë”, bëhet e ditur më tutje në opinion.

Madje, Venecia thotë se ka rrezik që jo mos të luftohet korrupsioni, por të ketë më shumë korrupsion.

“Nëse procedura fillohet në mënyrë arbitrare, nuk do të jetë mjet i mirë për ta luftuar korrupsionin por mund të çojë edhe në më shumë korrupsion. Është thelbësore që Byroja të veprojë mbi bazë të qartë ligjore dhe sipas kritereve të përcaktuara psh kontrolle të rastësishme. Sipas ligjit Drejtori vendos nëse një hetim do të vazhdojë apo do të ndalohet, por nuk tregohet në çfarë kushtesh do të iniciohet ajo”, theksohet më tutje.

Komisioni indirekt thotë se në këtë projektligj, cenohet edhe prezumimi i pafajësisë.

“Komisioni është i shqetësuar me nenin 20, sipas të cilit Byroja kërkon konfiskim nëse i pandehuri nuk përgjigjet në ftesën e Byrosë për të ofruar prova rreth pasurisë së tij. Në këtë rast thuhet se pasuria është përfituar në mënyrë të pajustifikueshme. Kjo nuk është e drejtë: fajësia nuk duhet të vendoset përderisa Byroja të ketë vërtetuar pohimet në propozim. Kjo nuk do të thotë se i pandehuri mund ta shmangë konfiskimin vetëm duke mos u përgjigjur, por mungesa e përgjigjes nuk mund të jetë bazë për arsyetim se pasuria është përfituar në mënyrë të paligjshme”, thekson opinioni.

“Mbikëqyrja e duhur e Byrosë është e nevojshme, duke ditur se edhe Komisioni që do të krijohet është organ i Kuvendit, projektligji paraqet një shkallë të fortë politike, kontroll nga politikanët mbi Byronë. Komisoini i Venecias është i shqetësuar se sipas këtyre, Byroja nuk do të jetë në gjendje të merret me raste serioze të korrupsionit”, bëhet e ditur më tutje.

Në fund, Komisioni i Venecias rekomandon që ky draft-ligj të rishqyrtohet, dhe si i tillë ka rrezik edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Shmangia e ndikimit politik, konkretizimi i procedurave të verifikimit, emërimit të specializuar të stafit, gjithashtu duhet të shqyrtohen me prioritet.

Lajme të ngjashme