<b></b> 12 gjermanët që u shfrytëzuan nga Putini

12 gjermanët që u shfrytëzuan nga Putini

06.05.2022 14:01

Nuk ka mungesë të politikanëve, udhëheqësve të bizneseve dhe intelektualëve që e kanë kënaqur Moskën ndër vite. Ja disa prej tyre.

Politico

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka futur udhëheqësinë e Gjermanisë në grahmat e procesit të torturuar të vetëdyshimit, kundërakuzave dhe analizimit të vetes.

Pas viteve të ligjërimit para Perëndimit se pak “Ostpolitik” është gjithçka që nevojitet për ta mbajtur Rusinë në kontroll, elitat politike, mediatike dhe akademike të Gjermanisë tash janë dhënë pas një pyetjeje të re: Si kemi mundur që të jemi kaq të gabuar?

Angela Merkel

Asnjë gjerman nuk është më përgjegjës për krizën në Ukrainë se Merkeli. Si kancelarë, nga viti 2005 deri më 2021, ajo ishte forca shtytëse prapa refuzimit të NATO-s për t’ia dhënë anëtarësinë Ukrainës. Edhe pas pushtimit rus të Gjeorgjisë, bombardimit brutal të Sirisë, aneksimit të Krimesë, luftës në Donbas, rrëzimit të aeroplanit “MH-17”, vrasjes në stilin e bandave të rebelit çeçen në Berlin dhe helmimit të Alexei Navalnyt, Merkeli këmbënguli se Putini do të mund të bindej.

Ajo ishte aq e sigurt që angazhimi me Rusinë ishte rruga drejt paqes, saqë më 2015 ia dha dritën e gjelbër projektit kundërthënës, “Nord Stream 2”, pavarësisht nga pushtimi i Krimesë nga Putini dhe lufta e tij në lindje të Ukrainës. Qëkurse nisi lufta e fundit, Merkeli praktikisht është futur nën tokë. Muajin e kaluar, ajo tha përmes një zëdhënëseje se qëndron prapa vendimit të saj të vitit 2008 për ta bllokuar hyrjen e Ukrainës në NATO. Ajo u pa për herë të fundit duke pushuar në Toskanë të Italisë.

Frank-Walter Steinmeier

Për një kohë të gjatë njeri i besuar i ish-kancelarit të diskredituar, Gerhard Schröder, Steinmeier-i ishte që nga fillimi ithtar i aleancës energjetike të Gjermanisë me Rusinë përmes gazsjellësve “Nord Stream”. Si shumë socialdemokratë, Steinmeier-i argumentonte se projekti do të garantonte paqe përmes krijimit të varësisë reciproke mes Rusisë dhe Gjermanisë. Si ministër i Jashtëm në kohën e Merkelit, ai vazhdoi që ta shtynte këtë linjë përballë veprimeve gjithnjë më agresive të Moskës.

Ai gjithashtu luajti rol kyç në përpjekjet për të imponuar zgjidhje diplomatike për Ukrainën, sidomos përmes të ashtuquajturës Formula Steinmeier, e cila do ta kishte betonuar ndikimin e Rusisë në vend. Tash president i Gjermanisë, ai rishtazi pranoi se ishte i gabuar që e ka përkrahur gazsjellësin “Nord Stream” dhe se e ka gjykuar keq Putinin. As pas kësaj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, refuzoi që ta priste atë në Kiev, duke e detyruar gjermanin që të anulonte një vizitë të planifikuar.

Gerhard Schröder

E vetmja gjë pozitive që dikush mund ta thotë për të është besnikëria e tij e përjetshme. Fatkeqësisht, objekt i besnikërisë së tij është Putini. Romanca e dyshes – e pakrahasueshme në politikën globale të dekadave të fundit – do të ishte qesharake, nëse nuk do të ishte kaq tragjike. Ndoshta Schröder-it do të mund të falej për gazsjellësin e parë “Nord Stream”. Edhe ashtu, shumë në Perëndim kanë qenë të gabuar për Putinin. Por në vend se të zmbrapsej, ai e forcoi pozicionin, duke u bërë mbrojtësi më i madh i rusit të fuqishëm në Perëndim, rol të cilin vazhdon që ta luajë.

Joe Kaeser

Përderisa është e vërtetë se udhëheqësit politikë të Gjermanisë e kanë shumicën e përgjegjësisë për politikën naive të vendit të tyre ndaj Rusisë, është gjithashtu e vërtetë se ata janë shtyrë. E askush nuk ka shtyrë më shumë se Kaeser-i. Si shef ekzekutiv i gjigantit “Siemens” nga viti 2013 deri më 2021, ai ishte i palodhshëm në zhvillimin e biznesit në Rusi. Pas aneksimit të Krimesë më 2014, ai kishte refuzuar që të anulonte një udhëtim për në Moskë për t’u takuar me Putinin në rezidencën e tij private.

Wolfgang Reitzle

Si forcë shtytëse prapa gjigantit të gazit, “Linde”, gjatë dy dekadave të fundit, Reitzle e futi kompaninë edhe më thellë në Rusi. Pak, nëse ka ndonjë, shefa ekzekutivë gjermanë ishin aq të afërt me qeverinë e Putinit sa Reitzle. Vitin e kaluar, ai e mbikëqyri marrëveshjen e kompanisë “Linde” prej 6 miliardë dollarësh me gjigantin rus të energjisë, “Gazprom”, për ndërtimin e një qendre masive për përpunimin e gazit afër kufirit të Rusisë me Estoninë. Deri më tani, kompania po i përmbahet projektit.

Konferenca e Sigurisë në Mynih

Herman Gref, shef ekzekutiv i bankës më të madhe ruse, “Sberbank”, gjatë kohës së diplomatit Ëolfgang Ischinger, ishte bërë pjesë e bordit të kësaj konference. Këtë javë, Komisioni Evropian propozoi masa për ta izoluar më shumë këtë bankë nga sistemi financiar ndërkombëtar. Një pjesëmarrës tjetër i rregullt në konferencë është Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, të cilin shumë njerëz e cilësojnë kriminel lufte. Në vitin 2018, diplomati Ischinger e përshëndeti kryediplomatin rus me “i dashur Sergei”.

Ost-Ausschuss

Platforma kryesore e Gjermanisë për tregun rus është një organizatë e njohur si “Ost-Ausschuss” ose “Komiteti Lindor”, e themeluar në vitet e pesëdhjeta. Në mesin e anëtarëve të këtij grupi lobuesish janë shumica e kompanive më të njohura gjermane, nga BMË-ja te Volkswagen-i e te gjiganti kimik, BASF. Që nga aneksimi rus i Krimesë, ky grup ka qenë miku më i mirë i Moskës në Berlin, sepse bëri agjitacion kundër ashpërsimit të sanksioneve.

Matthias Platzeck

Ish-kryeministër i shtetit gjerman, Brandenburg, dhe udhëheqës i socialdemokratëve, ai ka qenë fytyra më e sjellshme e agresionit rus në Berlin. Ai është përpjekur që t’i bindë gjermanët se nuk kanë asgjë për t’u frikësuar nga Rusia. Në librin e tij të vitit 2020, “Na duhet një Ostpolitik e re”, ai thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë Krimenë si pjesë të territorit rus, kërkesë që fillimisht e kishte bërë pak pas pushtimit më 2014.

Georg Restle

Reporter i njohur në televizionin publik gjerman dhe udhëheqës i emisionit të lajmeve, “Monitor”, Restle e ka shitur narracionin e dyshimtë se zgjerimi lindor i NATO-s është shkaktar i armiqësimit me Rusinë. Ndonëse kritikues i Putinit dhe i luftës, të cilën rishtazi ka filluar që ta mbulojë nga Kievi, ai ka shtyrë një vijë editoriale në transmetuesin kryesor publik gjerman (burim kryesor i lajmeve për shumicën e gjermanëve) që e portretizon Perëndimin po aq fajtor sa Putinin në mosmarrëveshjen me Rusinë. “Shumë besim është shkatërruar vjetëve të fundit dhe Rusia në asnjë mënyrë nuk është e vetmja për t’u fajësuar”, u tha ai shikuesve më 2018, kur e kishte kritikuar NATO-n për zhvillimin e ushtrimeve ushtarake në pjesën lindore të NATO-s.

Friedrich Merz

Udhëheqësi i ri i kristiandemokratëve, në momente kyçe të debatit për politikën ndaj Rusisë viteve të fundit, ka qenë në mënyrë të besueshme në anën e gabuar të historisë.

U desh helmimi i Navalnyt më 2020 që Merz-i të bindej se projekti “Nord Stream 2” mund të mos jetë ide e mirë. Edhe atëherë, ithtari i madh i këtij projekti vetëm bëri thirrje për moratorium për ndërtimin e gazsjellësit. Rishtazi, ai u ankua për bllokimin e Rusisë nga sistemi i pagesave, “SWIFT”, pak para fillimit të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Jürgen Habermas

Pragmatisti dhe përkrahësi i dikurshëm i Shkollës së Frankfurtit ka shërbyer me dekada si orakull për rrymën kryesore të së majtës gjermane. Margaritari i tij më i ri i urtësisë: Gjermania kishte të drejtë që të mos dërgonte armë në Ukrainë.

Manuela Schwesig

Ajo rrallë ka humbur ndonjë mundësi vjetëve të fundit për t’i mbrojtur projektin “Nord Stream 2” dhe Rusinë duke shkuar aq larg, saqë ka themeluar një fondacion jofitimprurës me para nga “Gazprom”-i për ta përfunduar projektin, nëse ai do të pengohej nga sanksionet amerikane.

Përktheu: Nasuf Abdyli - Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1