<b></b> A është eskalimi në Ukrainë pjesë e strategjisë së ShBA-së?

A është eskalimi në Ukrainë pjesë e strategjisë së ShBA-së?

05.05.2022 10:42

Qëllimi i miliardave të premtuara përmes planit “Lend-Lease” do të mund t’ia vinte majën baraspeshës politike. Historia mund ta përsërisë veten.

Adam Tooze

Në pranverën e luftës së Rusisë në Ukrainë, Uashingtoni duket i pushtuar nga fantazmat e historisë. Kongresi i ShBA-së e ka miratuar Aktin Lend Lease për Mbrojtjen e Demokracisë në Ukrainë për ta përshpejtuar ndihmën për këtë shtetet – njësoj siç kishte bërë Franklin Roosevelt-i, sipas Aktit Lend-Lease, për Perandorinë Britanike, Kinën dhe Greqinë në marsin e vitit 1941.

Shumat e të hollave që po shqyrtohen në Uashington janë të jashtëzakonshme – gjithsej 47 miliardë dollarë, sa një e treta e prodhimit vendor bruto të Ukrainës para luftës. Nëse miratohet nga Kongresi, në krye të ndihmave të tjera perëndimore, kjo do të nënkuptojë se ne po financojmë asgjë më pak se një luftë totale.

Akti “Lend-Lease” ishte ndërhyrje në kohë lufte. Shumica e mallrave të dhuruara ishin armatime. Ushtria e Monty-t në shkretëtirën veriore afrikane luftoi me tanket “Sherman” të Aktit “Lend-Lease”. Pas vitit 1942, kundërsulmet e mëdha sovjetike u kryen nga kamionët e Aktit “Lend-Lease”.

Ajo që e bëri këtë aq të jashtëzakonshme është që, në momentin kur u nis programi “Lend-Lease”, në mars të vitit 1941, Shtetet e Bashkuara nuk ishin në luftë. “Lend-Lease” ishte momenti vendimtar në të cilin Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk ishin luftuese, e braktisën neutralitetin. Kjo i detyroi juristët që të shpiknin një term të ri për ta përshkruar qëndrimin e “jo-luftimit”. Në terma më të gjerë, kjo e shënoi shfaqjen e Shteteve të Bashkuara si hegjemonia që, për më mirë ose për më keq, mbetet sot.

Sidoqoftë, historia është komplekse – gërvishte sipërfaqen dhe paqartësitë shumohen. Çfarë nënkupton në të vërtetë aktivizimi i planit “Lend-Lease” për drejtimin e politikës së Shteteve të Bashkuara?

Si duket, narracioni mbahet nga premtimi që një luftë e mirë, e luftuar kundër një regjimi të keq, do të fitohet përmes përkrahjes zemërgjerë të Shteteve të Bashkuara. Por për ta plotësuar harkun e narracionit, duhet që të vazhdosh që ta shtysh orën përpara, nga plani “Lend-Lease” në mars, te Karta e Atlantikut në gusht të vitit 1941 dhe deri në dhjetor, deri te sulmi në Pearl Harbor dhe te hyrja e ShBA-së në luftë. Duke u ofruar ndihmë Kinës dhe Perandorisë Britanike, plani “Lend-Lease” ishte hap jetik për shndërrimin e asaj që fillimisht ishte luftë e Japonisë ndaj Kinës dhe e Gjermanisë ndaj Evropës në luftë botërore.

Nëse Kongresi i ShBA-së tash po nis një program të ri “Lend-Lease”, duhet të merret në shqyrtim pyetja nëse eskalimi është pjesë e planit.

Edhe miqtë, edhe kritikët e Franklin Roosevelt-it gjithmonë kanë këmbëngulur që nxitja e luftës me Gjermaninë Naziste ishte agjenda e fshehur e programit “Lend-Lease”. Shumica e historianëve sot do të argumentonin se qëllimet e presidentit ishin më të paqarta. Edhe pas sulmit në Pearl Harbor, nuk ishte e qartë që Roosevelt-i do të mund të gjente një shumicë për ta shpallur luftën kundër Gjermanisë. Siç tregojnë Brendan Simms-i e Charlie Laderman-i në librin e tyre, “Hitler’s American Gamble”, rindërtim i jashtëzakonshëm i javës fatale pas sulmit në Pearl harbor, reagimi i menjëhershëm ndaj sulmit japonez ishte që të pezulloheshin dërgesat e programit “Lend-Lease”; Londra dhe Moska ishin të tmerruara. Nuk ishte Franklin Roosevelt-i, por Hitleri që e shpëtoi aleancën duke u shpallur luftë Shteteve të Bashkuara në pasditen e 11 dhjetorit.

Atëherë, si tash, ishin antagonistët tanë që mbetën me zgjedhjen nëse do të kishte eskalim nga ballafaqimi ekonomik në eskalim ushtarak. Atëherë, si tash, motivet e atyre antagonistëve janë të panjohura.

Pas njoftimit të sanksioneve të Bankës Qendrore më 28 shkurt, Putini e nxori kërcënimin me armë bërthamore. Nëse Bideni nënshkruan pako gjigante të ndihmës të stilit “Lend-Lease” dhe e bën ligj, kush mund të tregojë se si do të reagojë presidenti rus? Lindin pyetje të mëtejme: a do t’i jepen Ukrainës armë vetëm për ta dëbuar ushtrinë e Putinit? Apo a do ta pajisim Kievin për ta sulmuar vetë Rusinë?

Më 1941, vizioni kryesor ango-amerikan ishte që të krijohet një fushatë e pashembullt e bombardimit strategjik për t’u shkaktuar dëme të jashtëzakonshme qyteteve të Gjermanisë dhe për ta lënë pa shtëpi popullsinë e saj. Me bomba konvencionale, që ishin goditje vërtet e fortë. Por një pjesë e favorit të pritshëm për bashkëpunimin anglo-amerikan ishte misioni i Tizard-it,, përmes ekspertizës britanike, përfshirë zhvillimin e bombës bërthamore, u transferua në ShBA. Pas narracionit të mbuluar me sheqer për një luftë të mirë, të fituar nga arsenali i demokracisë, fshihet nisja e një lufte botërore apokaliptike.

Ky ishte makthi që i përcolli kundërshtarët e Roosevelt-it në Amerikë më 1941. Ata u ankuan se ShBA-ja po tërhiqej në një konflikt të dytë të tmerrshëm dhe në militarizimin e rendit botëror. Dhe kjo nuk ishte pikëpamje anësore. Përderisa versioni i vitit 2022 i Aktit “Lend-Lease” kaloi në Senat njëzëri, më 1941, një e treta e Senatit votoi kundër tij.

Roosevelt-i e dinte se publiku amerikan nuk ishte i gatshëm për luftë dhe ai shpresoi se Akti “Lend-Lease” do t’i lejonte atij që ta shmangte thirrjen për luftë. Kjo ishte ndjenja me të cilën luajti Churchill-i, kur i bëri apel ShBA-së në shkurt të vitit 1941 që të mos hynte në luftë, por t’ia jepte Britanisë dhe perandorisë së saj mjetet “dhe ne do ta kryejmë punën”. Por mu zemërgjerësia dhe shkalla e programit “Lend-Lease” dhe zotimi që ajo e nënkuptoi e bënë të qartë faktin se ShBA-ja po paguante që të tjerët të luftonin në betejë në emrin e saj.

Kjo është saktësisht pozita e saj sot. ShBA-ja dhe aleatët e saj, për arsye shumë të mira, po zgjedhin që të përkrahin një palë në një luftë në të cilën ajo nuk do të përfshihet drejtpërdrejt. Po veprojmë kështu si Franklin Roosevelt-i, me njërin sy nga rezistenca heroike e ata që po i bëjnë ball sulmit dhe me tjetrin nga baraspesha gjeopolitike. Nëse Rusia ka zgjedhur që ta thyejë veten në gurin e Ukrainës, nëse Ukraina është e gatshme që të luftojë, le të jetë ashtu.

Nëse ai është plani dhe nëse Putini na lejon që t’i përmbahemi, e ka qartazi logjikën në anën e vet. Është një llogaritje aq gjakftohtë, saqë nuk është për t’u habitur që duam ta veshim me hisotritë gjysmë të kujtueshme të Luftës së Dytë Botërore, në të cilin fundi i lumtur supozohet pa u përmendur ndonjëherë sakrificat e nevojshme.

Autori, Adam Tooze, është profesor i historisë në Universitetin e Columbia-s. Kjo kolumne është publikuar në gazetën britanike, "The Guardian".

Përktheu: Nasuf Abdyli, Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1