<b></b> Arrestimi i burrit me mbiemër të njëjtë shkakton 26 miliardë dollarë rënie në vlerën e kompanisë kineze

Arrestimi i burrit me mbiemër të njëjtë shkakton 26 miliardë dollarë rënie në vlerën e kompanisë kineze

04.05.2022 13:28

Kompania e njohur kineze për tregti në internet, “Alibaba”, e bashkëthemeluar nga miliarderi Jack Ma, pësoi rënie të vlerës së aksioneve për 9.4 për qind të martën, pasi mediet shtetërore kineze raportuan për arrestimin e një burri me mbiemrin Ma në qytetin Hangzhou, ku e ka selinë “Alibaba”, nën dyshimin për shkelje të sigurisë kombëtare.

Sipas transmetuesit shtetëror kinez, CCTV, i dyshuari është vënë në masa të detyrueshme më 25 prill nën dyshimin për “bashkëpunim me forcat e huaja armiqësore kundër Kinës për të nxitur ndarje dhe përmbysje të fuqisë shtetërore”.

Raporti me një fjali, që u mor shpejt nga mediet e tjera shtetëore, nxiti shitje me panik në Hong Kong, duke hequr rreth 26 miliardë dollarë nga vlera e tregut të kompanisë “Alibaba” brenda disa minuta, raporton televizioni “CNN”.

Hu Xijin, ish-kryeredaktor i gazetës shtetërore, “Global Times”, sqaroi në Twitter se raporti i televizionit kinez është çorientues, sepse emri i të dyshuarit në këtë rast ka tri shkronja. Emri kinez i miliarderit Ma ka vetëm dy shkronja. Televizioni kinez më vonë e përditësoi raportin, duke e marrë parasysh vërejtjen e ish-kryeredaktorit Xijin.

Për ta larguar edhe më shumë shqetësimin, gazeta “Global Times” raportoi se burri i arrestuar është lindur në vitin 1985 në Wenzhou. Miliarderi Jack Ma është lindur më 1964 në Hangzhou.

Sqarimet shkaktuan rritje të vlerës së kompanisë “Alibaba”, e cila i rimëkëmb nga shumica e humbjeve në fund të ditës.

Tjera nga autori:
1