<b></b> Çfarë nënkupton vendimi i Putinit për të mos e sulmuar fabrikën e Mariupolit

Çfarë nënkupton vendimi i Putinit për të mos e sulmuar fabrikën e Mariupolit

21.04.2022 12:26

Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i anuluar planet për sulmim të pikës së fundit të rezistencës në Mariupol nënkupton që qyteti ukrainas nuk ka rënë tërësisht në duart e Rusisë, por – pa qenë mrekulli – kjo duhet të jetë vetëm çështje kohe.

Deborah Haynes, redaktore e sigurisë dhe mbrojtjes, "Sky News"

Në vend të sulmimit, presidenti rus ka urdhëruar që të vendoset bllokadë përreth fabrikës, ku mijëra luftëtarë dhe qindra civilë janë të ngujuar, saqë as mizat të mos mund të ikin.

Kjo është shenjë e një qëndrimi mizor përfundimtar për mbrojtësit ukrainas, të cilët u kanë bërë ballë bombardimeve për gati dy muaj, ndonëse vendimi e zhduk – ose të paktën e vonon – aftësinë e Kremlinit për të deklaruar se qyteti strategjik bregdetar është plotësisht nën kontrollin rus.

Qeveria ukrainase po përpiqet që të sigurojë korridor të sigurt për njerëzit e saj, por nuk ka shenja nëse mund të bindet Rusia për ta lejuar largimin e ukrainasve nga fabrika.

Ajo që duket rënie e pashmangshme e Mariupolit do ta shënonte kapjen më të rëndësishme të një qyteti ukrainas që nga fillimi i luftës. Mendohet se forcat ruse po synojnë të sigurojnë suksese para 9 Majit – Ditës së Fitores, kur në Moskë shënohet fitorja ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Sidoqoftë, kapja e këtij qyteti, që dikur kishte gati gjysmë milioni banorë, vjen me kosto shkatërruese për banorët e tij. Më shumë se 20.000 civilë janë vrarë, shumë më shumë janë plagosur e  qindra mijëra kanë ikur.

Mariupoli pothuajse është bërë rrafsh me tokë. Rreth 90 për qind e shtëpive dhe ndërtesave janë dëmtuar nga sulmet ruse. 40 për qind e ndërtesave janë shkatërruar përtej mundësisë për t’u riparuar./Nacionale

Tjera nga autori:
1