<b></b> Ekspertët s’presin dalje të lehtë të ushtarëve ukrainas nga fabrika e Mariupolit

Ekspertët s’presin dalje të lehtë të ushtarëve ukrainas nga fabrika e Mariupolit

05.05.2022 12:42

Pas evakuimit të dhjetëra civilëve nga fabrika e rrethuar e Mariupolit, vëmendja po kthehet te fati i qindra trupave ukrainase që ende ndodhen në tunelet dhe bunkerët e uzinës tashmë famëkeqe.

Associated Press

Duke pasur ushtarë të aftë e të plagosur në radhët e tyre, zgjedhja e trupave duket se është mes luftës deri në vdekje ose dorëzimit me shpresë për të shpëtuar sipas termave të ligjit humanitar ndërkombëtar. Por ekspertët thonë se ka pak gjasa që ushtarëve t’u ofrohet dalje e lehtë dhe mund të kenë vështirësi për të dalë si njerëz të lirë ose madje edhe gjallë.

“Ata e kanë të drejtën për të luftuar deri të vdesin, por nëse i dorëzohen Rusisë, mund të ndalohen”, tha Marco Sassoli, profesor i ligjit ndërkombëtar në Universitetin e Gjenevës. “Thjesht, është zgjedhja e tyre”, shtoi ai.

Laurie Blank, profesoreshë në Universitetin “Emory” të Drejtësisë në Atlanta, e cila specializon në fushat e ligjit humanitar ndërkombëtar dhe ligjit të konfliktit të armatosur, tha se luftëtarët e lënduar cilësohen “hors de combat”, që i bie “jashtë luftimeve” dhe mund të ndalohen si të burgosur të luftës.

“Rusia do të mund t’i linte ushtarët e lënduar ukrainas që të kthehen në zonat ukrainase, por nuk i kërkohet një gjë e tillë”, tha ajo.

Bashkëshortet e të paktën dy ushtarëve ukrainas, të cilët ndodhen brenda fabrikës “Azovstal”, kanë qenë në Romë për t’i kërkuar evakuim të ushtarëve komunitetit ndërkombëtar, duke argumentuar se ata i meritojnë të drejtat e njëjta si civilët.

“Nuk duam që ata të vdesin, nuk do të dorëzohen. Po presin që shtetet më trime t’i evakuojnë. Nuk do të lejojmë që kjo tragjedi të ndodhë pas kësaj bllokade të gjatë. Duhet t’i evakuojmë edhe burrat tanë”, tha Kateryna Prokopenko, bashkëshorti i së cilës, Denys Prokopenko, e komandon Regjimentin e Azov-it në fabrikë.

Edhe autoritetet ukrainase kanë kërkuar që Rusia t’u ofrojë dalje të sigurt ushtarëve – me armët e tyre. Por ekspertët thonë se do të ishte pothuajse e pashembullt që ata të lejohen që thjesht të ecin të lirë, jo më pak për shkak se do të mund t’i kapnin përsëri armët dhe t’i shkaktonin përsëri pasoja të mundshme në njerëz Rusisë.

“Ka pak gjasë që Rusia do t’i lejonte trupat ukrainase që të largohen nga fabrika me armët e tyre dhe asgjë në ligj nuk do ta kërkonte këtë”, tha profesoresha Blank.

Ushtria ruse u ka bërë thirrje trupave brenda fabrikës që t’i ulin armët dhe të dalin jashtë me flamuj të bardhë. Rusia thotë se ata që dorëzohen, nuk do të vriten, në linjë me ligjin ndërkombëtar.

Sidoqoftë, komandantët e rezistencës ukrainase e kanë refuzuar këtë. Në një video të incizuar në fabrikë, zëvendëskomandanti i Regjimentit të Azov-it, Sviatoslav Palamar, tha se forcat e tij janë të rraskapitura, por u zotua: “Duhet që ta mbajmë vijën.”

Në rast se luftëtarët në fabrikën “Azovstal” do të kapeshin dhe do të merreshin peng, nuk është e qartë nëse Rusia do t’i mbante zotimet sipas ligjit ndërkombëtar sa u përket të burgosurve të luftës, duke i marrë parasysh dyshimet për shkeljet e mëhershme të rregullave për zhvillimin e luftës dhe mungesën e dëshmive për mënyrën se si i ka trajtuar ushtarët ukrainas që tashmë i ka në ndalim.

Ligji humanitar ndërkombëtar “u jep mbrojtje absolute të burgosurve të luftës kundër keqtrajtimit dhe vrasjes. Shkeljet e këtyre normave janë krime lufte”, tha Annyssa Bellal, hulumtuese e lartë dhe eksperte e ligjit ndërkombëtar në Institutin “Graduate” të Gjenevës. “Respektimi i normave, megjithatë, varet nga vullneti i palëve në konflikt”, shtoi ajo.

Dyshohet se normat ndërkombëtare janë shkelur nga të dyja palët gjatë luftës që nisi në fund të shkurtit, siç është parë në dëshmitë e vrasjes së civilëve, që dolën pas tërheqjes së rusëve afër Kievit, dhe përdhosjen e kufomave që mund të kenë qenë ushtarë rusë afër qytetit Kharkiv.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryq të Kuq luan rol jetik dhe pothuajse ekskluziv në konfliktet përreth botës për ndërhyrjet mes palëve luftuese rreth çështjeve si rregullimi i shkëmbimit të të burgosurve dhe vëzhgimi i kushteve të të ndaluarve. Mes tjerash, ky komitet i mbledh emrat e të burgosurve të luftës dhe i raporton te familjet dhe qeveritë e vendeve të tyre.

Sidoqoftë, Komiteti Ndërkombëtar nuk ka thënë nëse është takuar me ndonjë të burgosur lufte në ndalim të forcave ruse që nga fillimi i luftës, heshtje për të cilën profesori  Sassoli thotë se mund të jetë shenjë e keqe.

Përktheu: Nasuf Abdyli, Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1