<b></b> Fjala që mungoi në fjalimin e Putinit

Fjala që mungoi në fjalimin e Putinit

09.05.2022 12:36

Në fjalimin e Putinit mungoi fjala Mariupol. Qyteti me rëndësi të madhe strategjike për Rusinë, ku janë zhvilluar disa nga luftimet më të ashpra që nga pushtimi, është shndërruar gjithashtu në një simbol të rezistencës ukrainase kundër forcave pushtuese.

Beteja përfundimtare për qytetin është duke u zhvilluar në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, ku luftëtarët ukrainas janë të strehuar në tunele dhe bunkerë të nëndheshëm, të rrethuar nga trupat ruse.

Në një postim në Telegram, një këshilltar i kryebashkiakut të qytetit ka thënë se forcat ruse kishin filluar të sulmonin uzinën pas largimit të një kolone humanitare që transportonte civilët e mbetur nga vendi, një pretendim që nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Të dielën, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të transmetuar drejtpërdrejt nga një bunker në Azovstal, dy luftëtarë u zotuan të vazhdonin të luftonin, duke thënë se nuk do të dorëzoheshin.

"Ne nuk kemi shanse të mëdha për të mbijetuar nëse na kapin", tha njëri prej tyre. "Ne në fakt jemi njerëz të vdekur. Shumica prej nesh e dinë këtë. Kjo është arsyeja pse ne luftojmë kaq pa frikë."

Marrja e Mariupolit do t'i lejonte Rusisë të krijonte një urë tokësore midis zonave lindore të Donetskut dhe Luhanskut, pjesë të të cilave kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia përpara se të fillonte pushtimi, dhe gadishullit të Krimesë, të pushtuar dhe aneksuar nga Rusia në 2014.

Tjera nga autori:
1