<b></b> Gjermania planifikon ta ndihmojë Ukrainën në eksportimin e grurit

Gjermania planifikon ta ndihmojë Ukrainën në eksportimin e grurit

04.05.2022 08:59

Ukraina ka nevojë për mbështetje logjistike për eksportin e produkteve të rëndësishme bujqësore të ndikuar aktualisht nga agresioni i Rusisë, ka thënë ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir, i cili dëshiron të mobilizojë vendet e tjera të G7 për të ndihmuar Ukrainën, shkruan Euractiv.

Ministri nga radhët e të Gjelbërve ka në plan të diskutojë sigurimin e mëtejshëm të aksesit të Ukrainës në tregjet globale në takimin e G7-ës për bujqësi të caktuar për në mes të majit, tha ai për gazetën Redaktionsnetzwerk Deutschland. Komentet e ministrit vijnë pasi Rusia shkatërroi dhe bllokoi disa nga portet e Ukrainës përgjatë Detit të Zi.

“Ne, si qeveri gjermane, do të bëjmë gjithçka që mundemi”, tha Özdemir.

Ukraina është një eksportues kryesor i drithit dhe shumica e grurit të saj eksportohet zakonisht përmes detit. Ukraina eksportonte rreth pesë milionë tonë drithë përmes porteve të vendit çdo muaj para se të fillonte lufta, kështu që rrugët alternative të transportit duhet të hapen, thotë ministri i bujqësisë.

Transporti hekurudhor, për shembull, “mund të jetë një zgjidhje për eksportin e grurit – megjithëse me shumë përpjekje dhe me kapacitet të kufizuar”, shtoi Özdemir.

Transporti hekurudhor është gjithashtu problematik për shkak të dallimeve në dimensione të binarëve në mes vendeve dhe mungesës së kontejnerëve të përdorshëm. Rusia gjithashtu ka shtuar kohët e fundit bombardimet e objekteve hekurudhore, shtoi ministri i bujqësisë.

 

Eksporti nëpërmjet hekurudhave dhe rrugëve ujore të brendshme

 

Eksporti i grurit është një nga çështjet kryesore me të cilat po merret aktualisht ministria e bujqësisë e Ukrainës, thotë për mediat ukrainase në një intervistë ministri ukrainas i Bujqësisë, Mykola Solsky. Portet në Odesa dhe Mykolaiv, aktualisht janë të paralizuara "për arsye evidente".

Eksportimi i mallrave bujqësore nëpërmjet rrugëve detare, aktualisht është "i pamundur", ka thënë për Euractiv, Mariya Yaroshko, menaxhere e projektit të Dialogut Gjermano-Ukrainas për Politikat Bujqësore (APD) në Kiev - një projekt bashkëpunimi i mbështetur nga ministritë e të dy vendeve.

"Tani ne duhet të zhvendosim fokusin tonë, kryesisht në transportin hekurudhor", tha ajo. Megjithatë, infrastruktura e vendit ende nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të përballuar sasinë e kërkuar të eksportit, shton ajo.

"Aktualisht, ne jemi ndoshta në 15% të kapacitetit që do të na duhej atje," tha Yaroshko.

"Ukraina po përpiqet gjithashtu të përdorë rrugët ujore të brendshme për të transportuar produkte përgjatë Danubit në vendet perëndimore, nga ku ato mund të transportohen në vendet e tjera të botës, shton ajo. Kjo është më e lirë dhe më e shpejtë se eksportimi me tren, tha ajo, por përsëri, ka mungesë të anijeve të përshtatshme e të disponueshme" .

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të rritur eksportet rrugore, hekurudhore, dhe rrugë ujore të brendshme, kapacitetet e eksportit aktualisht janë të pamjaftueshme, thotë ministri Solsky.

Për shembull, vetëm 200,000 ton grurë ka qenë e mundur të eksportoheshin nga Ukraina në mars, ndërsa stoqet aktuale të vendit për eksport arrijnë në 20 milionë ton grurë nga korrja e fundit, pavarësisht kushteve të vështira të prodhimit, shpjegon ministri ukrainas.

Yaroshko thotë se ndërsa Ukraina ishte më së shumti e shqetësuar për sigurimin e furnizimit të brendshëm menjëherë pas shpërthimit të luftës, pasi ajo ndaloi përkohësisht eksportet e grurit, vendi tani ka një pasqyrë më të mirë të nivelit aktual të furnizimit dhe ka arritur në përfundimin "se ne ende kemi tepër.”

 

Rrezikimi i burimeve kryesore financiare

 

"Dhe këto teprica sigurisht që mund të eksportohen, sepse ne gjithashtu e kuptojmë përgjegjësinë e Ukrainës, veçanërisht për sa i përket vendeve që kanë llogaritur në eksportet tona," shton Yaroshko.

Ndërprerjet e prodhimit dhe eksportit të shkaktuara nga pushtimi i Rusisë kohët e fundit kanë rritur çmimet e ushqimeve në mbarë botën, duke ndikuar rëndë në vendet e varura nga importi – veçanërisht në Azi dhe Afrikë.

Në të njëjtën kohë, eksportet janë qenësore për ekonominë e shkatërruar nga lufta të Ukrainës. "Për Ukrainën, eksportet bujqësore janë një nga burimet kryesore të të ardhurave dhe gjithashtu një nga mënyrat kryesore për të mbajtur valutën e huaj," thotë Yaroshko.

Sipas ministrisë së bujqësisë në Kiev, produktet bujqësore përbëjnë 40% të të ardhurave totale të vendit nga eksporti.

Eksportet e ushqimit, së bashku me sigurinë ushqimore në vend, janë aktualisht disa nga politikat kryesore bujqësore të vendit, tha së fundmi në një konferencë publike, Mykola Pugachov, zëvendësdrejtor i Institutit të Ekonomisë Bujqësore të Ukrainës.

“Eksportet, nga ana tjetër, kanë një ndikim në vetë tregjet bujqësore, sepse ato sjellin burimet financiare për të financuar mbjelljen dhe korrjen, dhe për të mbajtur bujësinë,” shpjegon ai.

Tjera nga autori:
1