<b></b> Kadyrov-i thotë se Rusia do ta pushtojë Mariupolin sot, para ose pas drekës

Kadyrov-i thotë se Rusia do ta pushtojë Mariupolin sot, para ose pas drekës

21.04.2022 08:27

Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, që është njëri nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus, ka thënë se forcat ruse do ta marrin nën kontroll qytetin e rrethuar të Mariupolit të enjten, pasi Ukraina propozoi bisedime për evakuimin e trupave dhe civilëve atje.

Reuters

Mariupoli do të ishte qyteti më i madh që do të kapej nga Rusia që nga fillimi i luftës para tetë javëve, që ka zgjatur më shumë sesa që kanë pritur disa analistë ushtarakë. Mbi pesë milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina e shumë qytete janë shkatërruar.

“Para kohës së drekës ose pas drekës, (fabrika) Azovstal do të jetë tërësisht nën kontrollin e forcave të Federatës Ruse”, tha udhëheqësi i Çeçenisë, forcat e të cilit janë duke luftuar në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës nuk ishte menjëherë e qasshme për koment. Sidoqoftë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të enjten në mëngjes se sulmet me bomba dhe raketa kanë vazhduar në mbarë vendin, raporton agjencia “Reuters”.

Qyteti jugor i Mariupolit është përballur me luftimet më të ashpra të kësaj lufte. Kapja e tij nga Rusia do të ishte arritje e madhe strategjike dhe do ta lidhte territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë, në lindje, me Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e kishte aneksuar nga Ukraina më 2014.

Sipas dëshmitarëve të agjencisë “Reuters”, dhjetëra civilë arritën që të largohen nga Mariupoli të mërkurën përmes një grupi të vogël të autobusëve.

Komandanti ukrainas, Serhiy Volny, ka thënë se luftëtarët e tij në fabrikën e Mariupolit mund të mos mbahen për një kohë të gjatë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se rreth 1.000 civilë janë gjithashtu të strehuar në këtë fabrikë.

Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, në Twitter ka thënë se Ukraina është e gatshme për një rund special të bisedimeve pa kushte për t’i shpëtuar civilët, fëmijët, ushtarët, të gjallët dhe të plagosurit, siç u shpreh ai.

Kievi ka propozuar që të lirojë të burgosur rusë të luftës në këmbim të një korridori të sigurt për civilët dhe ushtarët e ngujuar në fabrikë. Nuk dihet nëse Rusia i është përgjigjur ofertës për bisedime speciale./Nacionale

Tjera nga autori:
1