<b></b> Kina akuzon rëndë NATO-n se ka hedhur bomba në shtete sovrane e ka vrarë civilë

Kina akuzon rëndë NATO-n se ka hedhur bomba në shtete sovrane e ka vrarë civilë

29.04.2022 10:40

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës e ka akuzuar NATO-n për bombardim të shteteve sovrane, vrasje të civilëve të pafajshëm e krijimin e rrëmujës në Evropë, pasi sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe tha se Kina duhet “të luajë sipas rregullave”.

Në një fjalim të mbajtur të mërkurën, kryediplomatja britanike, Liz Truss, bëri përsëri thirrje për fuqizim të NATO-s pas luftës në Ukrainë dhe tha se masat e bashkërenduara për ta izoluar Rusinë nga ekonomia botërore kanë dëshmuar se qasja në tregje nuk është më e mirëqenë për vendet demokratike.

Ajo gjithashtu pati një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Kinën. “Shtetet duhet të luajnë sipas rregullave dhe këtu përfshihet Kina”, tha sekretarja britanike.

Të enjten, Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, i kundërshtoi komentet e zonjës Truss dhe e akuzoi NATO-n se po kërkon që shtetet e tjera të veprojnë sipas normave themelore, ndërsa aleanca “ka zhvilluar pa u mërzitur luftëra dhe ka hedhur bomba në shtete sovrane, duke vrarë e zhvendosur civilë të pafajshëm”.

“NATO-ja, organizatë ushtarake në Atlantikun Veriore, vjetëve të fundit ka ardhur në rajonin e Azisë e Paqësorit për ta shtrirë autoritetin e vet dhe për të nxitur konflikte”, tha zëdhënësi kinez.

“NATO-ja e ka bërë rrëmujë Evropën. A po mundohet tash që t’i bëjë rrëmujë edhe rajonin e Azisë e Paqësorit dhe madje botën”, shtoi ai.

Kina ka refuzuar që ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës, duke nxitur kritika dhe thirrje nga vendet evropiane që ta përdorë ndikimin e saj ndaj Moskës, shkruan "The Guardian", përcjell Gazeta Nacionale.

“Ne gjithmonë kemi bërë gjykime të pavarura, të mbështetura në cilësitë e rastit”, tha zyrtari kinez, duke shtuar se pozicioni i Kinës për konfliktin në Ukrainë ka qenë i qëndrueshëm dhe i qartë.

Tjera nga autori:
1