<b></b> Kryeministri polak e akuzon Rusinë për sulm të drejtpërdrejtë përmes ndaljes së gazit

Kryeministri polak e akuzon Rusinë për sulm të drejtpërdrejtë përmes ndaljes së gazit

27.04.2022 13:39

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, të mërkurën e akuzoi Rusinë për sulm të drejtpërdrejtë ndaj vendit të tij përmes ndaljes së furnizimit me gaz.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Polonisë..., por ne kemi qenë duke e përgatitur veten deri në këtë pikë”, tha ai para deputetëve të dhomës së ulët të Kuvendit të Polonisë. “Polonia nuk do të ketë nevojë për gazin rus”, shtoi ai.

Kryeministri polak përmendi një gazsjellës të ri në ndërtim e sipër në Norvegji, që do të përfundohet brenda tre muajve e për të cilin tha se do të sigurojë 10 milionë metra kub gaz natyror për Poloninë.

Ai gjithashtu tha se një gazsjellës tjetër i ri, që po ndërtohet me Sllovakinë, do të prodhojë më shumë se pesë milionë metra kub gaz natyror, posa të përfundojë ndërtimi i tij.

“Nuk do të përkulemi para këtij shantazhi. Dua që t’i siguroj bashkëqytetarët e mi se veprimet e Putinit nuk do të ndikojnë në situatën në Poloni. Rusia jo vetëm që kreu një sulm brutal e vrasës në Ukrainë, por gjithashtu e sulmoi sigurinë e energjisë e ushqimit”, tha ai.

“Ukraina është në vijën e frontit. Ne, të gjitha vendet evropiane, duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo është luftë për paqe, luftë për sovranitet, luftë për siguri dhe nuk duhet të përkulemi”, shtoi kryeministri polak.

Tjera nga autori:
1