<b></b> Kryetari i Këshillit Evropian viziton Moldavinë, premton mbështetje ushtarake

Kryetari i Këshillit Evropian viziton Moldavinë, premton mbështetje ushtarake

04.05.2022 15:09

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e mbështetjes ushtarake shtesë për Moldavinë, për të përballuar përhapjen e agresionit rus që është duke ndodhur në Ukrainë, ka thënë kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel gjatë një vizite në Kishinau të mërkurën (4 maj).

Blloku 27-vendesh po shqyrton mundësinë se si mund të ofrojë më shumë mbështetje ushtarake për Moldavinë – duke përfshirë më shumë ndihmë në ndërtimin e forcave të vendit, tha Michel në një konferencë të përbashkët shtypi me  Presidenten moldave, Maia Sandu.

Moldavia, njëra nga vendet më të varfra në Evropë, e cila gjendet mes Rumanisë dhe Ukrainës, shihet si një viktimë e ardhshme e mundshme e agresionit të Rusisë. Ashtu si Ukraina, Moldavia është një ish-republikë sovjetike me ambicie për t'u anëtarësuar në BE. Rusia e Vladimir Putinit, megjithatë, ka plane për të rikthyer sa më shumë vende që të jetë e mundur nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Autoritetet moldave janë të shqetësuara për shenjat e tensionit në rritje në Transnistria, një rajon i mbështetur nga Moska, e e cila gjendet në kufi me Ukrainën jugperëndimore. Transnistria është zyrtarisht territor moldav, por kontrollohet nga forcat pro-ruse që nga viti 1990.

Një nga shenjat e para të problemeve ishin shpërthimet më 6 prill, të cilat dëmtuan shtyllat e radios së epokës sovjetike përmes sëcilave transmetonin radiot ruse në Transnistri,  gjë që e shtyu presidentin e Moldavisë të thërriste një takim urgjent sigurie.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë se po përpiqet të tërheqë Moldavinë në luftë.

Më 22 prill, një zyrtar i lartë ushtarak rus tha se faza e dytë e asaj që Rusia e quan "operacioni i saj special ushtarak" në Ukrainë përfshinte një plan për të marrë kontrollin e plotë të Ukrainës jugore dhe për të përmirësuar aksesin e saj në Transnistria.

Michel tha se ndihma shtesë do të ishte në fushat e logjistikës dhe mbrojtjes kibernetike që BE kishte rënë dakord tashmë. Michel ka refuzuar të jep ndonjë detaj, por ka thënë se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të shmangej çdo përshkallëzim i situatës.

“Ne do ta ndihmojmë Moldavinë të përballet me pasojat e përhapjes së agresionit rus”, tha Michel në Kishinau.

Ai tha se BE-ja po planifikonte të rriste ndjeshëm mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën duke u ofruar forcave të saj të armatosura "pajisje ushtarake shtesë".

"Ne gjithashtu do të ofrojmë mbështetje për të luftuar dezinformimin, për të forcuar kohezionin social dhe për t'u bërë ballë sulmeve kibernetike," tha Michel.

Moldavia nuk sheh ndonjë kërcënim të menjëhershëm nga trazirat që mund të vijnë si pasojë e luftës në Ukrainë, pavarësisht nga “provokimet” nga separatistët pro-rusë në ditët e fundit, por ka bërë plane emergjente për skenarë “pesimist”, tha presidenti Sandu të mërkurën.

Qeveria e Sandu aplikoi për t'u bashkuar me BE më 3 mars të këtij viti, një javë pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Michel tha se BE po punonte shumë për të shqyrtuar aplikimin e Moldavisë për t'u bashkuar me bllokun, megjithëse ai e përshkroi procedurën si "të ndërlikuar".

Tjera nga autori:
1