<b></b> Ku ndodhet Transnistria dhe pse po tërhiqet në luftën e Ukrainës

Ku ndodhet Transnistria dhe pse po tërhiqet në luftën e Ukrainës

27.04.2022 15:21

Po shtohet frika se republika e vogël ish-sovjetike e Moldavisë mund të zhytet në konfliktin e Ukrainës fqinje pas disa shpërthimeve në rajonin e përkrahur nga Moska, në Transnistri.

Shpërthimet misterioze, që në shënjestër patën Ministrinë e Sigurisë Shtetërore, një kullë për valë të radios dhe një njësit ushtarak, ndodhën disa ditë pasi një komandant i lartë rus pretendoi se folësit e rusishtes në Moldavi janë duke u shtypur – arsyetimi i njëjtë që e përdori Rusia për ta sulmuar Ukrainën.

Rustam Minnekayev, zëvendëskomandant i distriktit qendror ushtarak të Rusisë, tha se marrja e kontrollit në Ukrainën jugore do ta ndihmonte Rusinë që të lidhej me Transnistrinë, që shtrihet pak matanë kufirit nga qyteti bregdetar i Detit të Zi, Odesa.

Ku është Transnistria dhe cili është statusi i saj?

Rajoni me shumicë rusishtfolëse, i shtrirë mes Lumit Dniester dhe kufirit ukrainas, u nda nga Moldavia pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shkruan gazeta “The Guardian”.

Më 1992, separatistët zhvilluan një luftë me qeverinë pro-perëndimore të Moldavisë, që përfundoi me qindra të vdekur dhe me intervenimin e ushtrisë ruse, që doli në anën e rebelëve.

Në një referendum të vitit 2006, që nuk u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, 97.1 për qind e votuesve e përkrahën bashkimin me Rusinë, duke i dhënë goditje shpresës së Moldavisë për ta ndjekur rrugën e Rumanisë dhe të shteteve të tjera ish-komuniste të Evropës Lindore për anëtarësim në BE.

Transnistria kontrollohet nga separatistët pro-rusë dhe 1.500 ushtarë rusë dhe një depo e madhe armësh ndodhen në mënyrë të përhershme në këtë rajon.

Sa të ngushta janë lidhjet mes Transnistrisë dhe Rusisë?

Transnistria ende e përdor alfabetin cirilik dhe e ka monedhën e vet (rublën transnistriane), forcat e veta të sigurisë dhe pasaportën e vet, ndonëse shumica e popullsisë prej rreth 465.000 banorësh kanë shtetësi të dyfishtë ose të trefishtë moldave, ruse ose ukrainase.

Shumica e popullsisë flet rusisht, ndërsa në pjesën tjetër të Moldavisë mbizotërojnë folësit e gjuhës rumune.

Moska e përkrah ekonominë e Transnistrisë, duke i dhuruar gaz falas dhe duke mbajtur ushtarë atje, duke krijuar efektivisht një satelit rus në kufijtë e BE-së. Transnistria është gjithashtu e mbushur me simbole sovjetike.

Në flamurin e saj ndodhen një çekan dhe një drapër. Një statujë e madhe e Leninit ndodhet në qendrën e qytetit kryesor, Tiraspol-it, dhe një bust i udhëheqësit bolshevik gjendet pranë ndërtesës së komunës, që njihet si “Shtëpia e Sovjetëve”.

Çfarë thotë Rusia?

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, të martë u tha gazetarëve se ai ishte i shqetësuar për lajmet që po vinin nga Transnistria, ndërsa udhëheqësi i republikës së vetëshpallur në Donetsk, Denis Pushilin, i tha agjencisë “RIA Novosti” se Moska duhet ta marrë parasysh atë që është duke ndodhur në Transnistri, kur ta planifikojë fazën e ardhshme të fushatës ushtarake.

Çfarë thotë Moldavia?

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, e ka bërë të qartë kundërshtimin e saj ndaj ndarjes së Transnistrisë.

Ajo dëshiron që trupat ruse, që janë të vendosura përgjatë kufirit të Transnistrisë me Moldavinë, të zëvendësohen me një mision vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), propozim që është refuzuar nga Moska.

Pas një takimi të këshillit të sigurisë në Moldavi këtë javë, Sandu tha se forca të caktuara brenda Transnistrisë janë në favor të luftës dhe se janë të interesuara që ta destabilizojnë situatën në rajon.

Tjera nga autori:
1