<b></b> Lituania e ndalon përdorimin e shkronjës “Z” si simbol të përkrahjes për Rusinë

Lituania e ndalon përdorimin e shkronjës “Z” si simbol të përkrahjes për Rusinë

19.04.2022 15:01

Kuvendi i Lituanisë të martën votoi për ta ndaluar paraqitjen publike të shkronjës “Z”, fjongon e Shën Gjorgjit dhe disa simbole të tjera që shihen si shfaqje e përkrahjes për pushtimin rus të Ukrainës.

Automjetet ushtarake ruse në Ukrainë po dallohen me shkronjën “Z” dhe kjo shkronjë ka filluar të shfaqet edhe në rrjete sociale e në rroba në përkrahje të luftës.

Në vendimin e mëhershëm për ndalimin e paraqitjes publike të simboleve sovjetike dhe naziste, kuvendi lituan shtoi një dispozitë për “simbolet e regjimeve totalitare ose autoritare, që janë përdorur në të kaluarën ose që përdoren tash për tash për t’i promovuar agresionin ushtarak, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga to”.

Ligjvënësit lituanë gjithashtu e miratuan ndryshimin për rritjen e gjobës për ata që e shkelin këtë vendim në 900 euro për individë dhe deri në 1.500 euro për kompani, raporton agjencia “Reuters”.

Vendimi në Lituani u miratua pas marrjes së masave të ngjashme edhe në Letoni dhe Moldavi. Edhe Gjermania ka shqyrtuar një masë të tillë.

Tjera nga autori:
1