<b></b> Lufta në Ukrainë bën që zviceranët të sfidojnë neutralitetin e tyre shekullor

Lufta në Ukrainë bën që zviceranët të sfidojnë neutralitetin e tyre shekullor

08.05.2022 11:57

Si qëndron një vend evropian neutral kur lufta në Evropë është ndezur? Zvicra e arriti ta bëjë këtë gjë gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore, por tani, duke parë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, shumë zviceranë po rimendojnë pozicionin e tyre të vendosur prej kohësh.

Zvicrës iu dha "neutraliteti i përjetshëm" në Kongresin e Vjenës në 1815. Ishte një lëvizje pragmatike, gjeopolitike që u mbështet sepse vendi shihej si një amortizator i padëmshëm midis fuqive të mëdha evropiane - Francës në njërën anë, dhe Austrisë dhe Prusisë në anën tjetër,  dhe kështu Zvicra ruajti sigurinë e vet, ndërsa fqinjët e saj luftonin me njëri-tjetrin, shkruan BBC.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, neutraliteti zviceran ishte më shumë pragmatik sesa heroik. Zvicra mobilizoi të gjithë njerëzit e saj të aftë për të mbrojtur kufijtë e saj, por gjithashtu grumbulloi arin e grabitur nga nazistët dhe, në një lëvizje të turpshme për të mbajtur larg Gjermaninë, largoi mijëra refugjatë hebrenj - një politikë për të cilën më në fund kërkoi falje në vitet 1990.

Për dekada, neutraliteti ka gëzuar mbështetje pothuajse universale në mesin e zviceranëve - sondazhet e opinionit kanë treguar vlerësime të miratimit mbi 90%. Mirëpo tani zviceranët janë në kërkim të shpirtit, thotë Markus Haefliger, korrespondent i politikës me gazetën Tagesanzeiger, "Ata pyesin veten se si mund të qëndrohet neutral karshi një lufte si ajo në Ukrainë? Është kaq e qartë se kush është i miri dhe kush është i keqi."

Kur Rusia pushtoi fqinjin e saj në shkurt, mijëra qytetarë zviceranë dolën në rrugë, duke dënuar agresionin dhe duke kërkuar mbështetje për Ukrainën. Mijëra njerëz u ofruan shtëpitë e tyre refugjatëve ukrainas, për të cilët qeveria zvicerane ka ofruar mbrojtje kolektive pa viza.

Për të rinjtë zviceranë në veçanti, ideja se vendi i tyre mund të qëndronte i përmbajtur në një konflikt të tillë dukej e paimagjinueshme.

Por pak nga pak, shumë zviceranë kanë filluar të mendojnë për një identitet të ri dhe një strategji të re sigurie për vendin e tyre.

Një sondazh i fundit i opinionit tregoi se, ndërsa dy të tretat e zviceranëve ende kundërshtonin idenë e anëtarësimit në NATO, më shumë se gjysma (52%) ishin në favor të anëtarësimit në një bashkim evropian të mbrojtjes.

Ky plan, i njohur në Bruksel si Pesco (bashkëpunim i përhershëm i strukturuar ushtarak) do të përfshinte vendet që angazhoheshin për një politikë të përbashkët sigurie dhe mbrojtjeje. Ushtritë do të punonin së bashku, dhe aeroplanët luftarakë, tanket dhe armët e tjera do të prokuroheshin së bashku. Qëllimi përfundimtar: një ushtri e përbashkët evropiane.

Ideja e përfshirjes së Zvicrës neutrale dhe jo-anëtare të BE-së në diçka të tillë do të ishte e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë, por lufta në Ukrainë ka ndryshuar qartë opinionet.

Për Markus Haefliger, lufta në Ukrainë ka qartësuar pozicionin e Zvicrës në një botë të re, të polarizuar. “Zvicra është qartë pjesë e botës perëndimore, vlerave, ekonomisë, traditave, gjithçkaje,” thotë ai.

"Pyetja kryesore është, a mund të jemi neutralë në kuptimin tradicional në këtë rend të ri botëror?"

Tjera nga autori:
1