<b></b> Macron më afër Ukrainës, fitorja e tij një goditje e madhe për Putinin

Macron më afër Ukrainës, fitorja e tij një goditje e madhe për Putinin

26.04.2022 20:41

Kur Vladimir Putin e uroi Emmanuel Macron për rizgjedhjen e tij si president i Francës dhe i uroi atij "sukses në aktivitetet e tij", udhëheqësi rus ndoshta po mundohej të tregohej më shumë i sjellshëm, sesa i sinqertë.

Teksa nis një mandat të dytë, me synimin për ta mbajtur Francën në ballë të përpjekjeve ndërkombëtare për të detyruar Putinin të ndalojë luftën në Ukrainë, Macron ka dhënë një dritë jeshile për dërgimin e artilerisë moderne në Kiev që mund të ndihmojë në ndalimin e ofensivës së re të Rusisë në lindje të vendit.

Duke gjuajtur gjashtë fishekë në minutë, topat Caesar të montuara në kamion do të lejojnë trupat ukrainase të godasin trupat ruse nga larg, pastaj të lëvizin dhe t'i godasin përsëri. Të përdorura me efekt të madh kundër forcave të Shtetit Islamik në Irak dhe në konflikte të tjera, ato përfaqësojnë një hap të ndihmës së Francës për qeverinë e Presidentit Volodymyr Zelensky.

Një lëvizje tjetër e jashtëzakonshme, është se Macron po flet hapur për armët, duke hequr një vello të fshehtësisë që kishte hedhur më parë mbi ndihmën ushtarake franceze. Dërgimi i armëve dhe publiciteti për to, sinjalizojnë një linjë më të ashpër të Macron në marrëdhëniet e tij me Putinin – më pak fjalë e më shumë angazhim me Kremlinin.

Macron ishte në fazat e mbylljes së fushatës së tij për rizgjedhjen presidenciale kur foli për topat Caesar në një intervistë për gazetën Ouest-France. Ai përmendi gjithashtu raketat antitank të Milanos, megjithëse ato furnizime ishin raportuar edhe më parë.

Edhe pse Macron nuk dha numra për armët. Duke cituar burime të paidentifikuara franceze, Ouest-France tha se 12 Caesarë do të nxirren nga arsenali francez dhe se 40 ushtarë ukrainas të artilerisë po mbërrinin për stërvitje në një bazë ushtarake në jug të Francës.

Macron tha se “vija e tij e kuqe” mbetet të mos hyjë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, por brenda këtij kufiri, “duhet të ofrohet ndihmë maksimale për ukrainasit. Ne jemi duke ofruar pajisje. Ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.”

Ndërkohë, ministri i tij i forcave të armatosura postoi në Twitter se mijëra predha do të ishin gjithashtu pjesë e dërgesës në Ukrainë.

Sunil Nair, një analist i specializuar në sistemet e artilerisë, tha se topat mund të përdoren në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri ose së bashku si bateri.

Para dhe pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurt, Macron kishte mbajtur një linjë të hapur me Putinin. Por tmerret e zbuluara nga trupat ukrainase teksa rimorën kontrollin e fshatrave pranë Kievit pasi ushtarët rusë u tërhoqën, i dhanë Macron një pauzë. Zyra e tij tha javën e kaluar se Macron dhe Putini nuk kanë folur që nga 29 marsi.

Macron është shprehur se, ai do të duhet të flasë sërish me Putinin – “sepse të mos flasësh me Putinin do t'i lejojë udhëheqësit e Kinës, Indisë dhe Turqisë të marrin drejtimin në përpjekjen për të negociuar paqen, kurdo që të vijë ajo kohë.”

“Në një fazë të caktuar, ne do të duhet të përgatisim një armëpushim dhe Evropa do të duhet të jetë rreth tryezës”, tha Macron javën e kaluar.

Ndërkohë, armët franceze do të jenë pjesë e bisedimeve me Putinin - me shpresën për të shtuar presionin ndaj Putinit.

"Mënyra më e mirë për të pasur bisedime të suksesshme është të kesh ukrainas të suksesshëm që të kthejnë prapa pushtimin rus," tha François Heisbourg, një analist francez për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Caesar-ët do të lejojnë ekuipazhet ruse të gjujanë artilerinë ruse që po përdoret në Ukrainën lindore.

Heisbourg tha se “amerikanët dhe polakët, sllovakët dhe belgët, francezët dhe kanadezët po dërgojnë të gjithë artileri të rëndë tek ukrainasit”, duke shtuar se "ky është një përmirësim vërtet i madh për situatën e Ukrainës në fazën e re të luftës.”

Tjera nga autori:
1