<b></b> Mes armiqësive në rritje Korea e Veriut lëshon edhe një raketë balistike

Mes armiqësive në rritje Korea e Veriut lëshon edhe një raketë balistike

04.05.2022 21:42

Zyrtarët koreano-jugorë dhe japonezë, kanë njoftuar se Korea e Veriut ka lëshuar edhe ​​një raketë balistike drejt ujërave të saj lindore të mërkurën. Lëshimi i kësaj rakete vjen disa ditë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un u zotua të përshpejtojë zhvillimin e armëve të tij bërthamore "me ritmin më të madh të mundshëm” dhe kërcënoi se do t'i përdorte kundër rivalëve.

Associated Press shkruan se, raundi i 14-të i gjuajtjes së armëve të Veriut këtë vit, erdhi gjithashtu gjashtë ditë përpara se një president i ri konservator i Koresë së Jugut të marrë detyrën për një mandat pesë-vjeçar.

Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut thanë në një deklaratë se raketa u gjuajt nga rajoni i kryeqytetit të Veriut dhe fluturoi në brigjet lindore. Ata i quajtën lëshimet e përsëritura të raketave balistike të Koresë së Veriut "një kërcënim të rëndë" që do të minonte paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalojnë çdo lëshim balistik nga Veriu.

Deklarata thoshte se Won In-Choul, shefi i JCS i Koresë së Jugut, mbajti një video-konferencë në lidhje me lëshimin e raketës me gjeneralin Paul LaCamera, një gjeneral amerikan që drejton komandën e forcave të kombinuara në Seul dhe ata ranë dakord të mbanin një qëndrim solid të përbashkët mbrojtës.

Lëshimin e raketës e njoftoi edhe Japonia, e cila e dënoi rëndë.

"Seria e veprimeve të Koresë së Veriut që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin e komunitetit ndërkombëtar janë të palejueshme," u tha gazetarëve kryeministri japonez Fumio Kishida gjatë vizitës së tij në Romë.

Kishida tha se do të diskutojë çështjen gjatë takimit me kryeministrin italian Mario Draghi më vonë të mërkurën.

Ndërsa, zëvendësministri japonez i Mbrojtjes Makoto Oniki tha se raketa besohet të ketë rënë në ujërat jashtë Zonës Ekonomike Ekskluzive Japoneze dhe se nuk është raportuar për dëme apo lëndime nga anijet dhe avionët në zonë.

Deri më tani nuk dihet se çfarë rakete ka lëshuar ​​Koreja e Veriut.

Vëzhguesit thonë se ritmi jashtëzakonisht i shpejtë i Koresë së Veriut në testimin e armëve këtë vit nënvizon qëllimin e saj të dyfishtë për të avancuar programet e saj raketore dhe ushtrimin e presionit ndaj Uashingtonit për një ngrirje të thelluar në negociatat bërthamore. Ata thonë se Kim përfundimisht synon të përdorë arsenalin e tij të zgjeruar për të fituar një njohje ndërkombëtare të Koresë së Veriut si një shtet bërthamor që ai beson se do të ndihmonte në detyrimin e Shteteve të Bashkuara për të zbutur sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj Veriut.

Një nga raketat koreano-veriore të testuara kohët e fundit ishte një raketë balistike ndërkontinentale, potencialisht e aftë për të arritur në tokën amerikane. Lëshimi i kësaj rakete theu moratoriumin e vetë-imponuar të Kim në vitin 2018 për testet e armëve të mëdha.

Ka shenja se Veriu po përgatitet gjithashtu për një provë bërthamore në objektin e tij të largët të testimit verilindor. Nëse bëhet, shpërthimi i testit të bombës bërthamore nga Korea e Veriut do të ishte i shtati i këtij lloji dhe i pari që nga viti 2017.

Javën e kaluar, Kim Jong Un shfaqi raketat e tij më të fuqishme me aftësi bërthamore që synonin si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe aleatët e tyre gjatë një parade masive ushtarake në kryeqytetin, Phenian. Gjatë një fjalimi në paradë, Kim tha se do të zhvillonte arsenalin e tij me "ritmin më të shpejtë të mundshëm" dhe paralajmëroi se Veriu do të përdorte armët e tij bërthamore nëse kërcënohen interesat e tij kombëtare.

Tjera nga autori:
1