<b></b> “Njësh - njësh” - Bastoret britanike kanë favorit absolut për zgjedhjet në Francë

“Njësh - njësh” - Bastoret britanike kanë favorit absolut për zgjedhjet në Francë

20.04.2022 13:54

Sipas bastoreve politike në Britaninë e Madhe, Presidenti i tanishëm i Francës, Emmanuel Macron, ka gjasa mbi 90 për qind që të fitojë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të dielën kundër kandidates së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Ditëve të fundit, epërsia e Macron-it në anketa është rritur dhe pritet të fitojë 55 për qind të votave, ndërsa kandidatja tjetër 45 për qind. Të dy kandidatët do të zhvillojnë një debat televiziv të mërkurën në mbrëmje.

Sidoqoftë, gjasat e mëdha në bastore me rastin e një zhvillimi politik nuk janë garanci për rezultatin. Më 2016, për shembull, bastoret e kishin dhënë rezultat favorit mbetjen e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian përmes referendumit. Në ditën e votimit, një bastore i kishte dhënë 88.5 për qind gjasë mbetjes së Mbretërisë së Bashkuar në BE, por, në fund, shumica e votuesve votuan ndryshe.

Edhe pse tregjet financiare franceze u përballën me ca brishtësi para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, kur Le Pen mori 48.5 për qind të votave në një anketë, epërsia e tanishme e presidentit aktual ua ka shtuar besimin investitorëve.

Sidoqoftë, Emmanuel Cau, shef i strategjisë së kapitalit evropian në bankën “Barclays”, paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë në mesin e investitorëve.

“Një ndërrim i vonshëm nuk mund të shpërfillet, duke e marrë parasysh numrin e madh të votuesve të pavendosur”, shkroi ai, duke shtuar se ka gjasë që rezultati të jetë më i ngushtë se në vitin 2017, kur Macron-i i kishte fituar rreth dy të tretat e votave.

Debati televiziv mes dy kandidatëve të rundit të dytë zhvillohet sonte nga ora 21:00. Kjo përballje mund të jetë vendimtare për rezultatin përfundimtar, kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në ditën e zgjedhjeve.

Të dy kandidatët po përpiqen që të tërheqin votues që në rundin e parë e kanë përkrahur udhëheqësin e së majtës ekstreme, Jean Luc Melenchon, pasi ai ka dalë i treti me rreth 22 për qind të votave.

 

*Shprehja “njësh – njësh” në bastore sportive nënkupton që dikush ka parashikuar që ekipi vendës të fitojë në të dyja pjesët e lojës. Figurativisht, bastoret britanike gjithashtu kanë parashikuar se Macron-i do të fitojë në stilin “njësh – njësh”, pra, në të dyja rundet e zgjedhjeve.

Tjera nga autori:
1