<b></b> Putini mban fjalim në Sheshin e Kuq të Moskës, akuzon Perëndimin

Putini mban fjalim në Sheshin e Kuq të Moskës, akuzon Perëndimin

09.05.2022 10:02

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nisur fjalimin e tij për Ditën e Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës duke u thënë luftëtarëve rusë se po luftojnë për sigurinë e Rusisë.

“Ju po luftoni për atdheun tuaj, të ardhmen e tij”, thotë ai.

“Vdekja e çdo ushtari dhe oficeri është e dhimbshme për ne”, tha ai. “Shteti do të bëjë gjithçka për t'u kujdesur për këto familje.“

Ai uroi veteranët për ditën e “fitores së madhe”, e cila shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Putin ka vazhduar fjalimin e tij duke thënë se "operacioni special ushtarak" i Rusisë në Ukrainë – siç e quan Kremlini pushtimin – ishte një masë e nevojshme dhe "me kohë".

Ai thotë se ishte "vendimi i duhur" i një vendi të pavarur, të fortë dhe sovran.

Vladimir Putin ka thënë se gjatë vitit të kaluar ka pasur tensione me vendet e tjera evropiane dhe NATO-n.

Ai thotë se Rusia "i kërkoi Evropës të gjente një kompromis të drejtë, por ata nuk donin të na dëgjonin" dhe thotë se po përgatisnin një operacion ndëshkues në Donbas, në Ukrainën lindore, ku ai ka thënë se operacionet e Rusisë tani janë të fokusuara.

"Në Kiev ata thoshin se mund të siguronin armë bërthamore dhe NATO filloi të eksploronte tokat afër nesh, dhe kjo u bë një kërcënim i dukshëm për vendin tonë dhe për kufijtë tanë. Gjithçka na tregonte se ekziston nevoja për të luftuar."

Vladimir Putin ka thënë se Perëndimi nuk donte të dëgjonte Rusinë dhe ata kishin plane të tjera.

Perëndimi, tha ai, pa shpjeguar se çfarë provash kishte, po përgatitej për "pushtimin e tokës sonë, përfshirë Krimenë".

Udhëheqësi rus përfundoi fjalimin e tij në paradën e Ditës së Fitores në Moskë me mijëra trupa që brohoritnin në Sheshin e Kuq.

Nuk kishte asnjë njoftim të madh në fjalimin e Putinit për Ditën e Fitores, siç kishin parashikuar disa.

Por në fjalimin e tij, kreu i Kremlinit u përpoq përsëri të justifikonte pushtimin e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se NATO dhe Ukraina po krijonin kërcënime "të papranueshme për ne" në kufijtë e Rusisë.

Megjithatë, shumica e botës dhe organet ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, e konsiderojnë Rusinë agresore dhe operacionin e Moskës në Ukrainë si një pushtim të paligjshëm.

Tjera nga autori:
1