<b></b> Rritje rekorde e inflacionit në vendet që e përdorin euron

Rritje rekorde e inflacionit në vendet që e përdorin euron

29.04.2022 15:51

Inflacioni u rrit në nivel rekord në prill për 19 shtete që e përdorin euron, pasi rritja e çmimit të naftës, e përkeqësuar edhe më shumë nga lufta në Ukrainë, e goditi rimëkëmbjen ekonomike të rajonit nga pandemia e koronavirusit.

Inflacioni vjetor shkoi në 7.5 për qind në prill, duke e kaluar rekordin e mëparshëm prej 7.4 për qind, që u shënua në mars, tha të premten agjencia e statistikave, “Eurostat”. Shifra e prillit është rekordi i gjashtë radhazi për zonën e euros.

“Eurostat”-i tha se çmimi i energjisë është rritur për 38 për qind, shenjë se si pushtimi rus i Ukrainës është duke i prekur 343 milionë banorët e zonës së euros. Rritja e çmimeve në Evropë i pasqyron disa nga faktorët e njëjtë që e çuan në 8.5 për qind inflacionin në ShBA në muajin mars, që është shifra më e lartë nga viti 1981.

Gjermania do të shfuqizojë një taksë për përkrahjen e energjisë së ripërtëritshme në faturat e rrymës, duke i kursyer një familjeje 4-anëtarëshe rreth 300 euro në vit.

Shqetësimet për çmime edhe më të larta për ngrohje, energji elektrike dhe naftë për vetura janë një faktor që po i bind qeveritë evropiane që ende të mos e ndalin importin e energjisë nga Rusia si pjesë e sanksioneve për luftën në Ukrainë, raporton agjencia “Associated Press”.

Sipas statistikave, rritja ekonomike u zvogëlua në 0.2 për qind në tre muajt e parë të këtij viti, kur kufizimet gjatë përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit u bashkuan me inflacionin më të lartë për ta kufizuar rritjen e kërkesës, pasi njerëzit i përdorën më pak shërbimet fizike.

Nga ekonomitë kryesore evropiane, ekonomia gjermane u rrit për vetëm 0.2 për qind, duke e shmangur recesionin, sepse prodhimi ra për 0.3 për qind në fund të vitit të kaluar. Franca nuk pati fare rritje ekonomike, sepse masat kufizuese kundër pandemisë e dëmtuan aktivitetin ekonomik. Ekonomia e Italisë u tkurr për 0.2 për qind, sepse niveli i eksporteve ra.

Tjera nga autori:
1