<b></b> Rusët vjedhin sasi të mëdha drithi dhe pajisjesh ukrainase, e ardhme e zymtë për tregjet botërore

Rusët vjedhin sasi të mëdha drithi dhe pajisjesh ukrainase, e ardhme e zymtë për tregjet botërore

05.05.2022 18:47

Forcat ruse po vjedhin pajisje bujqësore dhe mijëra tonë drithë nga fermerët ukrainas në zonat që ata kanë pushtuar, si dhe po synojnë të sulmojnë vendet e magazinimit të ushqimit me artileri, kanë thënë burime të shumta për CNN.

Sipas burimeve, fenomeni është përshpejtuar javët e fundit pasi njësitë ruse kanë shtrënguar kontrollin e tyre në pjesë të rajoneve të pasura bujqësore të Kherson dhe Zaporizhzhia në Ukrainën jugore. Që atëherë operacionet e mbjelljes në shumë zona janë ndërprerë ose janë braktisur.

Veprimet e forcave ruse mund të kërcënojnë të korrat këtë vit në një nga vendet më të rëndësishme prodhuese të grurit në botë.

Oleg Nivievskyi, një specialist agrar në Shkollën Ekonomike të Kievit, i tha CNN se në prag të pushtimit, 6 milionë ton grurë dhe 15 milionë ton misër ishin gati për eksport nga Ukraina, shumica e të cilave mbahej në jug të vendit.

Ndërsa, të enjten ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se deri më sot janë vjedhur rreth 400,000 tonë drithë.

Fermerët dhe persona të tjerë në qytetet Kherson dhe Zaporizhzhia kanë dhënë detaje të shumta për CNN rreth vjedhjeve.

Ministri agrar Mykola Solsky tha se një rritje e vjedhjeve në ferma kishte ndodhur në dy javët e fundit, ndërsa zyrtarët ukrainas thonë se forcat pushtuese kanë paralajmëruar fermerët dhe bizneset se nëse raportojnë vjedhjet në polici, ata dhe familjet e tyre do të jenë në rrezik.

Për pushtuesit, drithi është një mall tërheqës. Çmimi i grurit është rreth 400 dollarë për ton në tregjet botërore dhe është rritur ndjeshëm këtë vit. Është e vështirë të gjurmohet origjina e tij dhe mund të transportohet lehtësisht.

Nivievskyi thotë se vendet në Lindjen e Mesme janë të lumtura të blejnë grurë rus, të cilin e marrin me 20% zbritje, dhe nuk u intereson nëse është vërtet nga Ukraina.

Por, për ukrainasit, vjedhja e drithit u kujton një periudhë të errët në historinë e tyre, kur Stalini u hoqi me forcë rezervat e ushqimit nga fshatarët ukrainas në vitet 1930, duke çuar në vdekjen e miliona njerëzve. I njohur si Holodomor (të vrasësh nga uria) ai konsiderohet një akt gjenocidi nga shumë ukrainas.

Kreu i Administratës Rajonale të Luhanskut, Serhiy Hayday, thotë se qëllimi i rusëve është të ndodhë edhe një tjetër Holodomor.

Rusët tani zënë rreth 90% të tokës bujqësore të Luhanskut dhe kanë marrë rreth 100,000 tonë drithë nga rajoni, vlerëson ai.

Vjedhja e grurit në një shkallë kaq të madhe - e kombinuar me luftën - mund të ndikojë në tregjet botërore.

Oleg Nivievskyi në Shkollën Ekonomike të Kievit tha për CNN se rreziku i vërtetë është me kalimin e viteve dhe jo me muaj. Fermerët po humbasin para dhe mund të falimentojnë, thotë ai.

 “Edhe nëse këto rajone do të çlirohen nesër, do të duhet kohë për të rifilluar ciklin e prodhimit, ndoshta dy deri në tre vjet. Blerja e plehrave dhe pajisjeve si dhe punësimi i punëtorëve do të ishte i vështirë për fermerët që janë vjedhur nga rusët - sepse gruri i tyre është kapitali i tyre qarkullues për sezonin e ardhshëm."

CNN ka raportuar më parë për vjedhjen e pajisjeve bujqësore, duke përfshirë mbjellës dhe korrës, nga një shitës i John Deere në qytetin e Melitopolit.

Videoja dhe imazhet e marra nga CNN shfaqën se pajisjet po ngarkoheshin në kamionë për t’u dërguar në Çeçeni.

Ndërsa, edhe Olga Trofimtseva, një ish-ministre e bujqësisë në Ukrainë, tha se ajo kishte dëgjuar për vjedhje të ngjashme në Donetsk dhe Kharkiv. "Pajisjet e tyre thjesht u vodhën dhe u tërhoqën përtej kufirit -- traktorë të rinj, makina korrjesh. Fatkeqësisht, ky është sistemi i tyre."

Tani që portet ukrainase si Odesa janë të mbyllura për trafikun tregtar, fermerët në zonat ende të kontrolluara nga Ukraina përballen me një pengesë në eksportimin e grurit të tyre.

Megjithatë, ka ende një fije shprese, pasi një pjesë e grurit tani po shkon me hekurudhë për në Rumani.

CNN ka mësuar se Rumania është e përgatitur të investojë në përmirësimet e hekurudhave përgjatë rrugës dhe ka shpallur një tender për punën. Por eksportimi i grurit në pjesën tjetër të Evropës me hekurudhë nuk është i lehtë, sepse rrjetet hekurudhore kanë matës të ndryshëm binarësh, që do të thotë se jo të gjithë trenat mund të lëvizin në të gjitha linjat hekurudhore.

Ndërkohë, shumë nga fermerët e Ukrainës përballen me një të ardhme të zymtë ashtu si edhe konsumatorët e tyre, ndërsa Rusia vazhdon të intensifikojë sulmet në hekurudha, duke synuar lidhjet e Ukrainës me botën e jashtme

Tjera nga autori:
1