<b></b> Rusia dëshiron të fshehë edhe më mirë humbjet e saj në Ukrainë me ligjin e ri

Rusia dëshiron të fshehë edhe më mirë humbjet e saj në Ukrainë me ligjin e ri

20.04.2022 16:07

Ministria ruse e Mbrojtjes ka propozuar që të afërmit e ushtarëve të vrarë në Ukrainë t'u drejtohen autoriteteve ushtarake dhe jo civile për kompensim, duke krijuar kështu një nivel shtesë të fshehtësisë në lidhje me humbjet e tyre në luftë.

Rusia i trajton vdekjet e ushtarëve si sekret shtetëror edhe në kohë paqeje dhe nuk i ka përditësuar të dhënat e saj zyrtare për humbjet në Ukrainë për katër javë.

Ata duan të kufizojnë numrin e njerëzve që e dinë se sa rusë kanë vdekur në Ukrainë

Me këtë propozim, Ministria e Mbrojtjes kërkoi që dëmshpërblimi i paguar për familjet e ushtarëve të rënë të mos mbikëqyret më nga zyrtarët civilë, por nga zyrat ushtarake. Masa është krijuar për të "kufizuar rrethin e njerëzve" që kanë informacione se sa ushtarë rusë u vranë në Ukrainë. 

Propozimi u shfaq në faqen e informacionit ligjor të qeverisë, por është e paqartë se kur qeveria planifikon ta zbatojë atë.

Rusia nuk ka raportuar asnjë humbje që nga 25 marsi

Ministria njoftoi më 25 mars se 1,351 ushtarë ishin vrarë dhe 3,825 u plagosën që kur Moska nisi atë që e quan një operacion special ushtarak në Ukrainë më 24 shkurt.

Që atëherë nuk ka pasur asnjë informacion mbi viktimat ushtarake, por një zëdhënës i Kremlinit foli për "humbje të konsiderueshme".

Ukraina dhe qeveritë perëndimore kanë thënë se besojnë se numri i viktimave ruse është dukshëm më i lartë. /Nacionale/

Tjera nga autori:
1