<b></b> Shtëpia e Bardhë po përgatitet për ballafaqimin e mundshëm Biden – Putin në G20

Shtëpia e Bardhë po përgatitet për ballafaqimin e mundshëm Biden – Putin në G20

30.04.2022 13:33

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe këshilltarët e tij janë ende në bisedime për mënyrën se si t’i qasen samitit të Grupit G20, organizatorët e të cilit morën konfirmim të premten se presidenti rus, Vladimir Putin, planifikon që të marrë pjesë.

CNN

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Rusia duhet të përjashtohet nga Grupi G20. Anëtarë të lartë të administratës së tij janë larguar nga organizimet e këtij grupi ku kanë qenë të pranishëm delegatët rusë. Ka pasur diskutime edhe me Indonezinë, e cila do ta organizojë samitin, për fuqizimin e dënimit të Rusisë nga vendi aziatik.

Gjashtë muaj para samitit, ende nuk është marrë vendim për bojkotimin e samitit të udhëheqësve. Zyrtarët thanë se, me gjasë, nuk do të ketë vendim brenda një afati të shkurtër, sepse po shqyrtohen anët negative të shpërfilljes së këtij tubimi dhe të dorëzimit të tavolinës Rusisë dhe Kinës.

“Presidenti e ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj pjesëmarrjes së presidentit Putin në G20”, tha të premten sekretarja për medie e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke shtuar se është shumë herët për të folur për atë se si do të duket samiti.

“Është gjashtë muaj larg, prandaj nuk dimë se si të parashikojmë, nuk mund të parashikojmë në këtë pikë, si do të duket. E kemi përçuar pikëpamjen tonë që nuk mendojmë se ata duhet të jenë pjesë e kësaj publikisht dhe privatisht”, tha Psaki.

Shtëpia e Bardhë është realiste se Grupi G20 nuk do ta largojë në mënyrë kolektive Rusinë nga radhët e tij, sepse vendimi, me gjasë, do të kërkonte konsensus dhe Kina ka qenë e qartë se nuk përkrah një masë të tillë. Kjo e bën këtë skenar të ndryshëm nga rasti kur Rusia ishte përjashtuar nga Grupi G8, pas aneksimit të Krimesë.

Psaki tha se, sipas asaj që e ka kuptuar Shtëpia e Bardhë, Indonezia e ka ftuar Putin-in para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, në një deklaratë, presidenti i Indonezisë e theksoi unitetin në mesin e vendeve anëtare.

“Indonezia dëshiron që ta bashkojë G20-shin. Le të mos ketë ndarje. Paqja dhe stabiliteti janë çelësa të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë botërore”, tha të premten presidenti indonezian, Joko Widodo, duke konfirmuar se Putin-i e ka pranuar ftesën e tij për pjesëmarrje.

Konfirmimi i pjesëmarrjes së Putin-it krijon një samit, me gjasë, të ndërlikuar në ishullin indonezian, Bali, që është planifikuar të nisë në fillim të nëntorit. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë menduar për disa skenarë, përfshirë dërgimin e një delegacioni të nivelit më të ulët ose pjesëmarrjen nga distanca. Megjithatë, pjesëmarrja fizike e presidentit Biden ende vlerësohet si rezultati më i mundshëm, edhe nëse Putini është gjithashtu atje, sipas zyrtarëve.

Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1