<b></b> Si

Si "ndryshoi përgjithmonë" Evropa në dy muajt e luftës në Ukrainë

29.04.2022 21:00

Forcat ukrainase në fillim u përballën me ushtrinë ruse me luftime të ashpra pothuajse në të gjithë territorin e Ukrainës. Kievi ishte synimi kryesor i ushtrisë ruse, por që asnjëherë as afër nuk ishin që ta pushtonin. Duke i parë këto zhvillime, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri një tërheqje, dhe u fokusua në lindje dhe jug të Ukrainës, dhe tha se tashmë faza e parë ka përfunduar me sukses.

I nxitur nga rezistenca e vendit të tij, presidenti i Ukrainës Zelensky u zotua të mos i dorëzojë kurrë qytetet e mëdha Rusisë dhe hodhi poshtë një ofertë ruse për kalim të sigurt për civilët nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, nëse forcat e Ukrainës dorëzohen atje. Duke ripërtërirë thirrjet për bisedime me Putinin, ai tha se çdo "kompromis" i madh do të duhej t'i vihej popullit ukrainas në një votim, shkruan The Week.

Rusia, megjithatë, vazhdoi bombardimet e saj ndaj Ukrainës. Sulmet u raportuan në zonat e banuara të Odesës dhe në Kiev. Rusia gjithashtu vazhdoi të hedhë raketa Mariupol, qytet i cili ishte shënjestër e ushtrisë ruse që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, madje ky qytet u sulmua me anije luftarake edhe nga Deti Azov.

Zyrtarët lokalë thanë se qyteti po shndërrohej në "hirin e një toke të vdekur". Negociatorët thanë se Putin nuk ishte ende i gatshëm të takohej me Zelenskyn dhe se nuk kishte "asnjë përparim të rëndësishëm" në bisedimet e paqes deri më tani.

Tashmë Europa ka 'ndryshuar përgjithmonë'

Ishin pak më shumë se dy muaj më parë kur Rusia pushtoi Ukrainën, dhe tashmë Evropa ka "ndryshuar përgjithmonë". Janë humbur mijëra jetë, qytete si Kharkiv dhe Mariupol janë shkatërruar, kontinenti përballet me krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore. Për sa kohë që Putini mbetet në pushtet, Rusia do të jetë një "shtet problematik".

Putin donte t'i kthente Rusisë madhështinë, tha Independent. Në vend të kësaj, ai ia ka dalë vetëm të poshtërojë forcat e tij të armatosura “keq të organizuara”, dhe ka arritur të gjymtojë ekonominë e Rusisë nga sanksionet e mëdha nga Perëndimi. 

Me armët perëndimore që ende "derdhen në" Ukrainë, problemet e Putinit thjesht do të përkeqësohen, tha The Economist. Javën e kaluar, SHBA njoftoi se do të dërgonte 33 miliardë dollarë të tjera ndihmë ushtarake – një paketë që përfshin 800 sisteme kundërajrore Stinger dhe 2000 raketa antitank Javelin, si dhe drone që mendohet se janë të afta të godasin tanket nga rreth 40 kilometra.

A po përballet Putini me humbje?

Mos vini bast kundër humbjes së Putinit në Ukrainë, tha Andrew Neil në Daily Mail. Trupat e tij po pësojnë humbje të mëdha dhe kanë mungesë ushqimi, karburanti dhe municioni. Të paktën, sipas shifrave të SHBA-së dhe NATO-s rreth 10 mijë deri në 15 mijë ushtarë rusë kanë vdekur. Forcat ukrainase kanë shkatërruar 500 automjete të blinduara ruse, 32 avionë luftarakë dhe 240 tanke – më shumë se në çdo veprim ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth 30 gjeneralë rusë janë vrarë,dhe Putin ka shkarkuar tetë të tjerë.

Është e vërtetë se Rusia ka bërë përparime në jug, tha Max Boot në The Washington Post. Ka të ngjarë që Mariupol të bjerë dhe Rusia të marrë "urën e saj tokësore" midis Krimesë dhe Ukrainës lindore të pushtuar nga Rusia. Por situata gjetkë është "e zymtë". Rusët janë dëbuar nga Mykolaiv, një qytet me 470,000 banorë, dhe Kievi dhe Kharkiv, një qytet kryesisht etnik rus që pritej të binte shpejt, mbeten në duart e Ukrainës.

Por Putini nuk do të ndalet derisa të kontrollojë mjaft nga jugu dhe lindja e Ukrainës për të fituar koncesione që më pas mund t'i paraqesë si fitore. Perëndimi ende po mbush arkat e Kremlinit duke blerë 1 miliard dollarë naftë ruse në ditë. Dhe kushdo që e ka parë fjalimin e Putinit ndaj një turme të madhe në Moskë, do ta dijë se ai nuk po mendon në mënyrë racionale. Sa më shumë të dëshpërohet, aq më drastike janë veprimet që do të ndërmarrë, Rusia tashmë ka lëshuar raketa hipersonike që fluturojnë me shpejtësi dhjetë herë më të madhe se sa zëri. ajo ende mund të lëshojë armë kimike.

“Naiviteti” i Presidentit Biden për të siguruar Moskën se NATO nuk do të ndërhyjë “në asnjë rrethanë” është i jashtëzakonshëm, tha Simon Tisdall në The Guardian. Për sa kohë që Putini është i bindur se ne nuk do të kundërpërgjigjemi, "kjo mund të jetë gjakëderdhja më e madhe në Evropë".

Putini duhet të dijë se objektivi i tij për të sjellë të gjithë Ukrainën nën ndikimin e tij tani është "i paarritshëm", tha William Hague në The Times. Por "edhe në skenarin e pamundur" ai angazhohet në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Turqia me mirëbesim. Statusi i ardhshëm i Krimesë, Donetskut dhe Luhanskut është shumë përçarës, siç janë pyetjet se si Ukraina do të kompensohej për dëmet në qytetet e saj, për jetët e humbura dhe për miliona të çrrënjosura nga shtëpitë. 

Pothuajse 100,000 njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol dhe janë në rrezik nga uria, paralajmëroi Zelensky këtë javë. Duke përsëritur thirrjet që Rusia të lejojë korridore të sigurta humanitare, ai tha se civilët u përballën me "kushte çnjerëzore ... pa ushqim, ujë, ilaçe" dhe janë nën "granatim të vazhdueshëm".

Zyrtarët ukrainas kanë frikë se vendit të tyre po i mbarojnë armët, raporton The Times, forcat e tyre po përdorin më shumë municione sesa pritej dhe ka pasur vonesa në furnizimet nga Gjermania, Franca dhe vende të tjera. /Nacionale/

 

Marrë nga: The Week
Përkthyer nga: Nacionale 

Tjera nga autori:
1