<b></b> Situata brenda fabrikës në Mariupol, “përtej katastrofës humanitare”

Situata brenda fabrikës në Mariupol, “përtej katastrofës humanitare”

29.04.2022 15:08

Situata brenda fabrikës së rrethuar, “Azovstal”, në qytetin Mariupol është “përtej katastrofës humanitare”, sipas një komandanti ukrainas që ndodhet brenda kësaj fabrike.

Serhiy Volyna nga Brigada e 36-të Detare tha se në fabrikë ndodhen qindra njerëz, përfshirë 60 të rinj dhe më i riu është një foshnjë katërmuajshe.

Në një intervistë për televizionin “CNN”, ai tha se për shkak të një sulmi rus ndaj spitalit fushor të fabrikës, nuk ka pajisje jetike mjekësore dhe se njerëzve u ka mbetur shumë pak ushqim e ujë.

“Salla operuese është goditur drejtpërdrejt dhe të gjitha pajisjet operuese, gjithçka që nevojitet për të kryer operacione, është shkatërruar, prandaj, tash për tash, nuk mund t’i trajtojmë të plagosurit tanë, sidomos ata me plagë nga copëzat e predhave dhe nga plumbat”, tha komandanti ukrainas.

“Po përkujdesemi për të plagosurit tash për tash me çfarëdo pajisjesh që kemi. Kemi mjekë ushtarakë dhe ata po përdorin çdo shkathtësi që kanë për t’u përkujdesur për të plagosurit. Tash për tash, nuk kemi ndonjë pajisje kirurgjike, por i kemi disa gjëra themelore. Gjithashtu, kemi nevojë të jashtëzakonshme për ilaçe. Pothuajse nuk na kanë mbetur ilaçe”, shtoi ai.

Kur u pyet për planin e mundshëm të evakuimit nga fabrika “Azovstal”, për të cilin njoftoi sot zyra e presidentit ukrainas, Volyna tha se nuk i di hollësitë.

Tjera nga autori:
1