<b></b> Sot në Gjermani nisin bisedimet për armatosjen e Ukrainës

Sot në Gjermani nisin bisedimet për armatosjen e Ukrainës

26.04.2022 08:16

Zyrtarë nga më shumë se 40 shtete pritet që të mblidhen sot në aeroportin e Ramstein-it në Gjermani për bisedimet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që pritet të përqendrohen në armatosjen e Ukrainës.

Takimi do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pas takimi të tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të dielën, raporton “The Guardian”.

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral Mark Milley, u tha gazetarëve që po udhëtonin me të se një qëllim kyç i bisedimeve është sinkronizimi dhe bashkërendimi i ndihmave të sigurisë për Kievin, që përfshijnë artileri të rëndë, dronë dhe municion.

“Javët e ardhshme do të jenë shumë, shumë kritike. Ata kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme me qëllim që të jenë të suksesshëm në fushëbetejë dhe ky është vërtet qëllimi i kësaj konference”, tha ai.

Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë vlerësuar se Rusia do të varet shumë nga sulmet me artileri, në përpjekje për t’i goditur pozicionet ukrainase në kohën kur Moska po lëviz me forca tokësore nga shumë drejtime me synimin për të rrethuar dhe shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të ushtrisë ukrainase.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara gjithashtu vlerësojnë se shumë njësite ruse janë të dobësuara dhe disa prej tyre janë duke operuar me humbje të personelit deri në 30 për qind – nivel që nga ushtria amerikane vlerësohet si shumë i lartë për të qenë në nivel të lartë për t’i vazhduar luftimet, thonë zyrtarët.

Sipas vlerësimit të Britanisë së Madhe, rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftë, ndërsa 2.000 automjete të blinduara, përfshirë rreth 530 tanke, janë shkatërruar. Këtë vlerësim e dha të hënën sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Sidoqoftë, Rusia deri më tani ka pranuar se i janë vrarë vetëm 1.351 ushtarë, ndërsa thotë se 3.825 të tjerë i janë plagosur./Nacionale

Tjera nga autori:
1