<b></b> Sulmet ajrore ruse synojnë armët perëndimore që mbërrijnë në Ukrainë

Sulmet ajrore ruse synojnë armët perëndimore që mbërrijnë në Ukrainë

04.05.2022 19:57

Rusia po shton sulmet ajrore në linjat kryesore të furnizimit ukrainas ku vijnë miliarda funte armë perendimore, duke përfshirë linjat hekurudhore dhe magazinimin.

Me Moskën dhe Kievin të bllokuar në një garë për të formuar kushtet për fazën aktuale të luftës në Ukrainë, The Guardian shkruan se fluksi i shpejtë dhe në rritje i furnizimeve me armë nga mbështetësit perëndimorë të Ukrainës është bërë një fokus për të dyja palët.

Të martën, sulmet ajrore ruse goditën gjashtë stacione treni në Ukrainën qendrore dhe perëndimore, ndërsa Kremlini rriti shënjestrimin e tij ndaj infrastrukturës kryesore, duke përfshirë nënstacionet e furnizimit me ujë dhe ato elektrike.

Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, një raketë lundrimi ruse ka goditur gjithashtu një hangar në Odesa ku kishte dronë nga Turqia, Bayraktar TB2, si dhe raketa dhe municione nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Ndërsa burimet treguan se Mbretëria e Bashkuar synon të furnizojë Kievin me dronë që mbajnë mallra për të transportuar në fushat e betejës në lindje dhe jug.

Fokusi i hershëm i furnizimeve me armë në Ukrainë ishte fillimisht armët e vogla dhe pajisjet mbrojtëse, por javët e fundit kjo ka ndryshuar. Presidenti amerikan Joe Biden, njoftoi për një paketë të re mbështetjeje për Ukrainën në vlerë prej 33 miliardë dollarësh, duke përfshirë 20 miliardë dollarë ndihma ushtarake.

Duke folur muajin e kaluar, Biden foli për nevojën e rritjes së furnizimit me armë më të rënda në Ukrainë, duke e përshkruar atë si një "dritare kritike" pasi Rusia e zhvendosi fokusin e saj në lindje.

Furnizimi me armë për Ukrainën është rritur pasi ushtria kishte mungesa dhe u pakësuan rezervat e municioneve. Por, gjithashtu është nxitur nga një pikëpamje gjithnjë e më e zëshme midis liderëve perëndimorë, përfshirë Biden dhe Boris Johnson, se kërcënimi i paraqitur nga Rusia kërkon që ajo të "dobësohet".

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar tashmë armë me vlerë rreth 3.4 miliardë dollarë në Ukrainë që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, duke përfshirë sistemet kundërajrore Stinger, Javelins, municione dhe parzmore.

Ndër sistemet e armëve që dërgohen në Ukrainë nga ShBA përfshihen C-4, obus, helikopterë Mi-17, Humvee të blinduara, transportues të personelit M113, drone Sëitchblade dhe mina kundër personelit M18A1 Claymore, me burime të mbrojtjes që konfirmojnë se dhjetëra pjesë artilerie tashmë kishin mbërritur në vend.

Armët amerikane që kanë mbërritur tashmë në Ukrainë përfshijnë më shumë se 5,500 sisteme raketash antitank Javelin.

Edhe BE-ja ka ndarë 450 milion euro për armë për Ukrainën, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, armë antitank dhe municione.

Mbretëria e Bashkuar po furnizon me automjete të rënda patrullimi të blinduara Mastiff, dronët për mallra, si dhe e ka furnizuar Ukrainën me raketa anti-ajrore Starstreak, 800 raketa antitank dhe municione precize.

Rritja e shpejtë e furnizimeve me armë vjen pasi forcat ruse kanë ndryshuar taktikat që nga faza e parë e luftës, përpara se trupat ruse të tërhiqeshin nga sulmi i tyre i dështuar rreth Kievit për të fokusuar operacionet në zonat lindore dhe jugore të Ukrainës. Forcat ruse tani po mbështeten më shumë në përdorimin intensiv të artilerisë dhe raketave kundër mbrojtjeve ukrainase.

Ukraina ka marrë gjithashtu armë nga burime të tjera, duke përfshirë Gjermaninë, e cila - pas hezitimit fillestar - është bërë një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në Kiev, duke dërguar sistemin e blinduar anti-ajror Gepard. Republika Çeke ka dërguar gjithashtu tanke luftarake T-72, ndërsa Kanadaja njoftoi muajin e kaluar se kishte dorëzuar artileri të rëndë, duke përfshirë obuset M777.

Një zyrtar ushtarak ukrainas përshkroi javën e kaluar përqendrimin e shtuar të sulmeve ruse në infrastrukturë që synonin të pengonin aksesin e Kievit në armët perëndimore.

“Mendoj se ata nuk besonin se perëndimi do t'i jepte Ukrainës furnizimet e nevojshme me armë të rënda, kështu që tani procesi ka filluar, ata mendojnë se duhet të bëjnë diçka për këtë. Sepse armët perëndimore dhe përvoja luftarake jep një avantazh të madh”.

Duke folur gjatë një vizite në një fabrikë që prodhon çipa për sistemin raketor Javelin të martën, Biden justifikoi politikën e tij, duke thënë se, "Kjo luftë nuk do të jetë e lirë, por nënshtrimi ndaj agresionit do të ishte edhe më i kushtueshëm."

“Ju po i lejoni ukrainasit të mbrohen, dhe sinqerisht, ne në shumë raste po i bëjmë budallenj ushtrinë ruse,” i'u tha Biden punëtorëve të fabrikës.

Tjera nga autori:
1