<b></b> Sytë nga Franca, sonte debati vendimtar televiziv mes Macron-it e Le Pen-it

Sytë nga Franca, sonte debati vendimtar televiziv mes Macron-it e Le Pen-it

20.04.2022 11:31

Në kulmin e fushatës zgjedhore për rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, presidenti i tanishëm, Emmanuel Macron, dhe kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, do të përballen të mërkurën në mbrëmje në një debat televiziv, i cili mund të jetë vendimtar për rezultatin e së dielës.

Associated Press

Të dy kandidatët janë përgatitur me kujdes për debatin e shumëpritur, që pritet të zgjatë më shumë se dy orë, raporton agjencia “Associated Press”.

Presidenti aktual mori më së shumti vota në rundin e parë dhe është duke prirë edhe në anketa me dallim prej 3 deri në 13 për qind. Megjithatë, zonja Le Pen e ka ngushtuar dallimin në masë të konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e kaluara presidenciale të vitit 2017, kur kishte marrë vetëm 34 për qind të votave, ndërsa Macron-i 66 për qind.

Në vitin 2017, një debat i ngjashëm i kishte dhënë goditje vendimtare fushatës së saj.

Atëherë, zonja Le Pen dukej ngurruese, duke kërkuar përgjigje nga shënimet e grumbulluara para vetes dhe dukej sikur e kishte humbur gjakftohtësinë në një çast. Ajo gjithashtu kishte bërë gabime themelore për disa tema ekonomike, të cilat Macron-i i kishte kritikuar menjëherë.

Kjo ishte bërë shkatërruese për imazhin e saj. Madje edhe brenda kampit të saj, ajo ishte kritikuar se nuk ishte përgatitur mjaftueshëm.

Në anën tjetër, Macron-i, atëherë vetëm 39 vjeç, edhe pse me pak përvojë politike, dukej rehat duke folur për të gjitha llojet e çështjeve dhe i aftë për të hyrë në hollësi në atë që dukej si dëshmim i seriozitetit.

Rishtazi, Le Pen e cilësoi debatin presidencial të vitit 2017 si dështimin më të madh të karrierës së saj politike.

Kësaj radhe, ajo është zotuar se do të jetë më mirë e përgatitur, duke punuar në shtëpi me këshilltarët e saj më të ngushtë.

Të dy kandidatët kanë nevojë për zgjerim të përkrahjes para votimit të së dielës. Shumë francezë, sidomos ata të së majtës, thonë se ende nuk e dinë madje nëse do të votojnë apo jo.

Le Pen pritet t’u bëjë apel atyre që kanë ndjenja kundër Macron-it, ta kritikojë të kaluarën e tij dhe ta paraqesë si alternativë qëndrimin e saj nacionalist dhe kundër emigrantëve. Ajo gjithashtu synon të dëshmojë se e ka hijen e presidentes së mundshme dhe t’i promovojë ato për të cilat thotë se janë propozime realiste.

Ndërkohë Macron-i do t’i mbrojë qëndrimet e tij pro-evropiane si mënyrë për ta bërë Francën më të fuqishme në botë. Ai do të mundohet që t’i bindë votuesit majtistë se qëndrimi i tij në përkrahje të biznesit nuk duhet t’i parandalojë ata që ta votojnë.

Ditëve të fundit, ai pranoi se disa do ta përkrahin vetëm për të dalë kundër kandidates së të djathtës ekstreme.

“Dua të bind gra dhe burra me pikëpamje të ndryshme politike”, tha presidenti francez.

Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1