<b></b> Temperatura deri në 47 gradë, i nxehti në Indi dhe Pakistan po

Temperatura deri në 47 gradë, i nxehti në Indi dhe Pakistan po "teston kufijtë e mbijetesës njerëzore"

02.05.2022 17:01

Temperaturat në disa pjesë të Indisë dhe Pakistanit kanë arritur nivele rekord, duke vënë në rrezik jetën e miliona njerëzve pasi efektet e krizës klimatike janë ndjerë në të gjithë nënkontinentin.

Sipas Departamentit Meteorologjik Indian, temperatura mesatare maksimale për Indinë veriperëndimore dhe qendrore në prill ishte më e larta që nga fillimi i regjistrimeve 122 vjet më parë, duke arritur respektivisht 35.9 dhe 37.78 gradë Celsius.

Ndërsa sipas meteorologëve të CNN, muajin e kaluar, Nju Delhi pati shtatë ditë radhazi temperatura mbi 40 gradë Celsius, tre gradë mbi temperaturën mesatare për muajin prill, 

Në disa shtete, vapa detyroi mbylljen e shkollave, dëmtoi të korrat dhe ushtroi presion mbi furnizimet me energji, pasi zyrtarët paralajmëruan banorët të qëndrojnë brenda dhe të hidratohen.

Vala e të nxehtit është ndjerë edhe nga Pakistani fqinj i Indisë, ku qytetet Jacobabad dhe Sibi në provincën juglindore Sindh të vendit regjistruan 47 gradë Celsius të premten, sipas të dhënave të ndara me CNN nga Departamenti Meteorologjik i Pakistanit (PMD), që thanë se kjo ishte temperatura më e lartë e regjistruar në çdo qytet në hemisferën veriore atë ditë.

"Kjo është hera e parë në dekada që Pakistani po përjeton atë që shumë e quajnë "vit pa pranverë", tha në një deklaratë Ministrja e Ndryshimeve Klimatike të Pakistanit, Sherry Rehman.

Temperaturat në Indi pritet të ulen këtë javë, tha IMD, por ekspertët thonë se kriza klimatike do të shkaktojë valë të nxehta më të shpeshta dhe më të gjata, duke prekur më shumë se një miliard njerëz në të dy vendet.

Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), India është ndër vendet që pritet të jetë më e prekura nga ndikimet e krizës klimatike, 

"Kjo valë e të nxehtit është padyshim e paprecedentë," tha Dr. Chandni Singh, autori kryesor i IPCC dhe studiues i lartë në Institutin Indian për Vendbanimet Njerëzore. "Ne kemi parë një ndryshim në intensitetin e tij, kohën e mbërritjes dhe kohëzgjatjen e tij. Kjo është ajo që parashikuan ekspertët e klimës dhe do të ketë ndikime edhe në shëndet."

Humbja e të korrave

India shpesh përjeton valë të nxehti gjatë muajve të verës maj dhe qershor, por këtë vit temperaturat filluan të rriten në mars dhe prill.

Në shtetin verior të Punjabit, i njohur si "shporta e bukës së Indisë", nxehtësia po shkakton stres, jo vetëm për miliona punëtorë bujqësorë, por edhe për fushat me grurë ku ata mbështeten për të ushqyer familjet e tyre dhe për të shitur në të gjithë vendin.

Gurvinder Singh, drejtor i bujqësisë në Punjab, tha se një rritje mesatare deri në 7 gradë Celsius në prill kishte ulur rendimentet e grurit.

"Për shkak të valës së të nxehtit, ne kemi pasur një humbje prej më shumë se 5 kuintal (500 kilogramë) për hektar të prodhimit tonë të prillit," tha Singh për CNN.

Mbyllja e shkollave dhe ndërprerjet e energjisë elektrike

Në disa pjesë të Indisë, kërkesa për energji elektrike ka çuar në mungesë të qymyrit, duke lënë miliona njerëz pa energji deri në nëntë orë në ditë.

Javën e kaluar, stoqet e qymyrit në tre nga pesë termocentralet ku Delhi mbështetet për furnizimin me energjinë e tij arritën nivele kritike të ulëta, duke rënë nën 25%, sipas Ministrisë së Energjisë së Delhit.

India anuloi më shumë se 650 trena pasagjerësh deri në fund të majit për të lënë vend në shina për më shumë trena mallrash, ndërsa vendi përpiqet të rimbushë rezervat e qymyrit në termocentralet, i tha CNN një zyrtar i lartë nga Ministria e Hekurudhave të vendit.

Hekurudhat Indiane janë një furnizues kryesor i qymyrit për termocentralet në të gjithë vendin.

Disa shtete indiane, përfshirë Bengalin Perëndimor dhe Odishën, kanë njoftuar mbylljen e shkollave për t'u marrë me temperaturat në rritje.

"Fëmijët që duhet të udhëtojnë për në shkollë, shumë prej tyre kanë gjakderdhje nga hundët, ata nuk mund ta tolerojnë këtë valë të nxehtë," u tha gazetarëve javën e kaluar kryeministrja e Bengalit Perëndimor Mamata Banerjee.

Vitet e fundit, si qeveria federale ashtu edhe ajo shtetërore kanë zbatuar një sërë masash për të zbutur efektet e valëve të të nxehtit, duke përfshirë mbylljen e shkollave dhe dhënien e këshillave shëndetësore për publikun.

Por sipas Chandni Singh, duhet bërë më shumë për t'u përgatitur për valët e ardhshme të të nxehtit.

"Ne nuk kemi një plan veprimi për ngrohjen dhe ka boshllëqe në planifikim," tha Singh duke shtuar se “kjo valë e të nxehtit po teston kufijtë e mbijetesës njerëzore."

Tjera nga autori:
1