<b></b> Tensionet në pikën më të lartë, por ShBA dhe Rusia shkëmbejnë papritur dy të burgosur

Tensionet në pikën më të lartë, por ShBA dhe Rusia shkëmbejnë papritur dy të burgosur

27.04.2022 17:20

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer një shkëmbim të papritur të burgosurish në një kohë tensionesh të larta, duke shkëmbyer një veteran marins të burgosur nga Moska për një trafikant droge rus, që ishte në vuajtje të një dënimi të gjatë me burg në Amerikë.

Sipas Associated Press, marrëveshja e shpallur nga të dy vendet përfshin lirimin e Trevor Reed, një amerikan i burgosur për gati tre vjet. Lirimi i tij në këtë kohë ishte befasues, pasi që lufta e Rusisë me Ukrainën, i ka çuar marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën më të ulët në dekada.

Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, e kthyen Konstantin Yaroshenkon, një pilot rus, i cili po vuante një dënim federal 20-vjeçar në Konektikat për komplot për të kontrabanduar kokainë në ShBA, pasi u arrestua në Liberi në vitin 2010 dhe u ekstradua në ShBA. Departamenti i Drejtësisë e ka përshkruar atë si "një trafikant ndërkombëtar droge me përvojë" i cili komplotoi për të shpërndarë mijëra kilogramë kokainë në mbarë botën.

Pavarësisht lirimit të Reed, edhe disa amerikanë të tjerë mbeten të burgosur në Rusi, duke përfshirë yllin e WNBA, Brittney Griner dhe ekzekutivin e sigurisë së korporatës së Miçiganit, Paul Whelan.

Sipas babait të Reed, shkëmbimi i dy të burgosurve u zhvillua në Turqi.

“Aeroplani amerikan u tërhoq pranë aeroplanit rus dhe ata shkëmbyen të dy të burgosurit në të njëjtën kohë, siç ndodhë në filma,” tha ai.

Megjithatë, duket se ky shkëmbim nuk ka gjasa të bëjë ndonjë përparim të madh midis Moskës e Uashingtonin, pasi një zyrtar i lartë i administratës Biden paralajmëroi se negociatat për shkëmbim përqendroheshin në një "një grup çështjesh diskrete të të burgosurve" dhe nuk përfaqësonin një ndryshim në dënimin e qeverisë së ShBA-së për dhunën e Rusisë kundër Ukrainës.

Tjera nga autori:
1