<b></b> Ukraina paralajmëron se bisedimet me Rusinë mund të dështojnë, vazhdojnë luftimet në lindje

Ukraina paralajmëron se bisedimet me Rusinë mund të dështojnë, vazhdojnë luftimet në lindje

30.04.2022 08:18

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen akuza për bisedimet e lëkundshme për përfundimin e luftës, që tashmë ka hyrë në muajin e tretë, ndërsa forcat ruse sulmuan zona në lindje të vendit. Ndërkohë ligjvënësit amerikanë u zotuan për një pako të re masive të armëve për Kievin.

Reuters

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se largimi i sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë është pjesë e bisedimeve të paqes, për të cilat tha se janë të vështira, por po vazhdojnë përditë përmes video-lidhjes.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha gazetarëve polakë se ka gjasa të mëdha që bisedimet të përfundojnë për shkak të vrasjes së njerëzve nga Rusia”, raportoi agjencia “Interfax”.

Kryediplomati rus, duke folur për agjencinë kineze të lajmeve, “Xinhua”, tha se 1 milion e 20 mijë njerëz janë evakuuar nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i sulmeve, më 24 shkurt. Megjithatë, Ukraina thotë se mijëra njerëz janë dërguar në Rusi kundër vullnetit të tyre.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur përkrahje për Ukrainën në bisedimet e paqes, por thonë se është jetike që të vazhdohet armatosja e ushtrisë ukrainase. Të enjten, presidenti amerikan, Joe Biden, kërkon nga Kongresi që të miratohen 33 miliardë dollarë për ndihma të reja, mbi 20 miliardë prej tyre për armë.

Ukraina ka pranuar se e ka humbur kontrollin e disa qytezave dhe fshatrave lindore, por thotë se avancimet e Moskës janë bërë me çmim të lartë për një forcë tashmë të lodhur nga humbja afër kryeqytetit Kiev.

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia po e sulmon tërë linjën e frontit të Donetsk-ut me raketa, artileri, bomba dhe aeroplanë, pjesërisht për t’ua pamundësuar rigrupimin forcave ukrainase.

Ushtria ukrainase tha se Rusia është duke u përgatitur për ofensiva në zonat Lyman të Donetsk-ut dhe Sievierodonetsk e Popasna të Luhansk-ut. Kjo ushtri gjithashtu tha se forcat ruse po vazhdojnë që të rigrupohen në pjesën jugore, duke e rritur efikasitetin e zjarrit dhe duke e përmirësuar pozicionin.

Zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia ka pësuar më pak pasoja pas uljes së nivelit të pushtimit, por shifrat janë ende goxha të larta, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Britanisë thotë se përfitimet e Rusisë kanë qenë të kufizuara dhe kanë pasur kosto të konsiderueshme./Nacionale

Tjera nga autori:
1