<b></b> Zelensky: Urat me Rusinë ende nuk janë shkatërruar

Zelensky: Urat me Rusinë ende nuk janë shkatërruar

07.05.2022 09:15

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka lënë të kuptohet se është ende i hapur për bisedime me Rusinë, por vetëm nëse Moska i tërheq trupat nga vendi i tij.

Duke folur për organizatën britanike, “Chatham House”, presidenti ukrainas tha se nevojitet rregullim i diskutimeve për t’i ndërprerë vrasjet dhe se rifitimi i territoreve ukrainase duhet të bëhet përmes kanaleve diplomatike.

Parakusht për këtë do të ishte “rifitimi i situatës së 23 shkurtit”, tha ai, që e nënkupton gjendjen para fillimit të luftës, raporton “Sky News”.

“Unë jam zgjedhur nga populli i Ukrainës si president i Ukrainës, jo si president i një mini-Ukraine të ndonjë lloji. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme”, tha Zelensky.

“Ata duhet të tërhiqen. Në atë situatë, ne do të mund të fillojmë që të diskutojmë për gjërat normalisht. Pavarësisht faktit se ata po i shkatërrojnë të gjitha urat, unë mendoj (në mënyrë metaforike) se jo të gjitha urat janë shkatërruar”, shtoi ai.

Sipas presidentit ukrainas, më shumë se 500.000 qytetarë ukrainas janë dëbuar për në Rusi që nga fillimi i luftës.

Zelensky tha se ukrainasit e dëbuar janë dërguar në rajone të skajshme të Rusisë dhe se ekziston një përpjekje për t’i asimiluar ata me forcë.

Në një fjalim nga largësia për deputetët islandezë, ai e falënderoi Islandën për përkrahjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Tjera nga autori:
1