Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është drejtuar deputetëve të Shqipërisë me një fjalim. Ai e falënderoi Shqipërinë për përkahjen dhe e përmendi Shën Terezën, duke e cilësuar si simbol të humanizmit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka nisur fjalimin e tij përmes video-lidhjes para deputetëve të Shqipërisë duke uruar për festën e Bajramit të Madh.
“Popull i Shqipërisë, dje, myslimanët në mbarë botën e festuan Bajramin e Fitrit, i cili e shënon fundin e Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit në islam. Ju përgëzoj për këtë festë. Jua uroj atë që të gjithë ukrainasit sot ia urojnë njëri-tjetrit – paqen”, tha presidenti ukrainas.
Zelensky tha se Rusia nuk u është përgjigjur kërkesave për armëpushim. E ka shpërfillur edhe muajin e Ramazanit dhe nuk po i kursen as kishat.
“Unë besoj se duke punuar së bashku, do të jemi në gjendje ta ndalim këtë luftë, por edhe ta mbrojmë Evropën në të ardhmen nga përsëritja e një kërcënimi të tillë”, tha presidenti ukrainas përmes video-lidhjes.
Ai bëri thirrje që bankat ruse të shkëputen nga sistemi financiar global dhe të kufizohet tregtia me Rusinë.
Zelensky i kërkoi Shqipërisë që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe ta kufizojë ardhjen e turistëve rusë.
Pasi e përfundoi fjalimin presidenti ukrainas, deputetët e Shqipërisë e nderuan me një duartrokitje të gjatë. Pas tij, fjalën e mori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.