Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmi rus ndaj vendit të tij është vetëm fillimi dhe se komentet e një komandanti rus të premten janë shenjë se Moska do të sulmojë edhe vende të tjera.
“Kjo vetëm e vërteton atë që unë e kam thënë shumë herë: sulmi rus ndaj Ukrainës ka qenë për qëllim vetëm si fillim, pastaj ata duan që të kapin vende të tjera”, tha ai.
Rustam Minnekayev, komandant në detyrë i distriktit qendror ushtarak të Rusisë, tha të premten se qëllimi i ri i vendit të tij është që ta marrë nën kontroll pjesën jugore të Ukrainës, duke siguruar qasje në Transnistri, rajon pro-rus brenda territorit të Moldavisë.
Zelensky theksoi se Rusia ka pretenduar që janë shkelur të drejtat e njerëzve rusishtfolës, raporton “The Guardian”.
“Ata flisnin për ëndrrën e tyre më të madhe: për ta parë Parisin dhe për të vdekur dhe sjellja e tyre tash është thjesht shokuese, sepse ëndrra e tyre tash është që ta vjedhin tualetin dhe të vdesin”, shtoi Zelensky.
Moldavia shprehu shqetësim të thellë për komentet e komandantit rus dhe e thirri në raportim ambasadorin rus.
“Këto deklarata janë të pabazuara dhe bien ndesh me pozicionin e Federatës Ruse për përkrahjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Moldavisë, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Moldavisë.