<b></b> 100 ditë lufte në Ukrainë, përmbledhje e zhvillimeve kyçe

100 ditë lufte në Ukrainë, përmbledhje e zhvillimeve kyçe

02.06.2022 23:34

Në orët e para të datës 24 shkurt, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës duke shkaktuar konfliktin më të keq në Evropë prej dekadash.

Tani, ndërsa Rusia po zgjeron kontrollin e saj në lindje, ne do të shikojmë prapa duke nxjerrë zhvillimet më kyçe në 100 ditë luftime që kanë lënë të vrarë dhjetëra mijëra civilë dhe kanë shkatërruar qytete të tëra.

24 shkurt: Rusia nis pushtimin

Presidenti rus Vladimir Putin shpall një "operacion special ushtarak" për "çmilitarizimin" dhe "denazifikimin" e shtetit ish-sovjetik dhe mbrojtjen e rusishtfolësve që jetojnë në atje.

Pushtimi fillon me sulme ajrore në disa qytete, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zotohet se do të qëndrojë në Kiev për të udhëhequr rezistencën.

26 shkurt: Sanksione masive ndaj Rusisë

Perëndimi miraton sanksione të paprecedentë kundër Rusisë dhe i ofron Ukrainës ndihmë ushtarake.

Hapësirat ajrore mbyllen për avionët rusë dhe Rusia përjashtohet nga ngjarjet sportive dhe kulturore.

27 shkurt: Kërcënimi bërthamor

Putini vendos forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë, në atë që u pa si një paralajmërim për Perëndimin që të mos ndërhyjë në Ukrainë.

28 shkurt: Bisedimet e para

Gjatë bisedimeve të para të paqes midis Kievit dhe Moskës, Rusia kërkon njohjen e sovranitetit të saj mbi Krimenë, "çmilitarizimin" dhe "denazifikimin" e Ukrainës dhe një garanci që Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO. Ukraina kërkon një tërheqje të plotë të Rusisë nga territori i saj.

3 Mars: Bie qyteti Kherson

Trupat ruse sulmojnë bregun jugor të Ukrainës në përpjekje për të lidhur territorin e mbajtur nga rebelët pro-Moskë në Ukrainën lindore me gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia.

Më 3 mars, Kherson në jug bëhet qyteti i parë që bie, ndërsa forcat ruse granatojnë pa pushim portin e Mariupolit.

4 Mars: Goditja ndaj medias

Rusia miraton një ligj që dënon me deri në 15 vjet burg, ato që ajo i quan "lajme të rreme" në lidhje me ofensivën e saj - siç është referimi i "operacionit të saj special ushtarak" si pushtim.

16 mars: Bombardohet teatri në Mariupol

Sulmet ajrore ruse shkatërrojnë një teatër të Mariupolit duke vrarë rreth 300 njerëz që ishin të strehuar brenda. Moska fajëson për sulmin batalionin nacionalist të Ukrainës Azov.

16 mars: Zelensky lobon në Kongres

Zelensky i thotë Kongresit Amerikan të "kujtojë Pearl Harbor" dhe lobon në parlamentet perëndimore për më shumë ndihmë.

2-3 Prill: Tmerr në Bucha

Pas një muaji luftimesh, Rusia tërhiqet nga veriu i Ukrainës, duke njoftuar se do të përqendrojë përpjekjet e saj në pushtimin e rajonit lindor të Donbasit.

Por, më 2 dhe 3 prill, ukrainasit gjejnë dhjetëra kufoma civilësh të shpërndarë në rrugë ose të varrosura në varre të cekëta në periferi të Kievit, Bucha, të cilën forcat ruse e kishin pushtuar.

Moska hedh poshtë akuzat për krime lufte ruse, duke thënë se imazhet e trupave ishin të rreme.

8 Prill: Masakra në stacionin e trenit

Një sulm me raketa në një stacion treni në qytetin lindor të Kramatorsk vret të paktën 57 civilë që u evakuuan nga Donbasi.

12 Prill: Biden akuzon për  “gjenocid”

Biden akuzon Rusinë për "gjenocid", duke thënë se Putini duket se synon "të përpiqet të fshijë edhe idenë e të qenit një ukrainas".

14 Prill: Fundoset anija "Moskva"

Raketat ukrainase godasin dhe fundosin kryqëzuesin raketor të Rusisë Moskva në Detin e Zi, një pengesë e madhe për Moskën.

11 maj: 40 miliardë dollarë ndihmë nga ShBA

Ligjvënësit amerikanë mbështesin një paketë të madhe ndihme ushtarake, ekonomike dhe humanitare prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën.

16 maj: Tërheqja nga Kharkiv

Ukraina thotë se trupat e saj i kanë kthyer forcat ruse nga periferia e qytetit të dytë më të madh të vendit, Kharkiv, për në kufirin rus.

18 maj: Suedia dhe Finlanda aplikojnë në NATO

Finlanda dhe Suedia aplikojnë për t'u bashkuar me NATO-n, duke anuluar mos-angazhimin e tyre ushtarak prej dekadash për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

23 maj: Dënimi i parë për krime lufte

Një gjykatë ukrainase shpall fajtor një ushtar rus 21-vjeçar për krime lufte dhe e dënon me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili 62-vjeçar në Ukrainën verilindore në ditët e para të luftës.

21 maj: Përfundon beteja për Mariupolin

Rusia deklaron se ka kontrollë të plotë të Mariupolit pasi Ukraina urdhëroi trupat që qëndruan për javë të tëra në fabrikën e çelikut Azovstal që të dorëzonin armët për të shpëtuar jetën e tyre.

Gati 2500 ushtarë dorëzohen dhe kapen rob nga Rusia.

30 maj: BE ndalon shumicën e naftës ruse

Udhëheqësit e BE-së kapërcejnë rezistencën nga Hungaria për të rënë dakord për një ndalim të pjesshëm të shumicës së importeve të naftës ruse si pjesë e valës së gjashtë të sanksioneve.

Marrëveshja ndalon importet e naftës të dërguara me cisterna, por u lejon vendeve pa dalje në det si Hungaria që të vazhdojnë të marrin naftën ruse me tubacion.

31 maj: Rusia pushton një pjesë të qytetit lindor

Trupat ruse kapin një pjesë të qytetit kyç lindor të Ukrainës, Severodonetsk.

Marrja e qytetit do t'i jepte Rusisë kontroll de-fakto mbi Luhansk, një nga dy rajonet që përbëjnë Donbas-in, zemra industriale e Ukrainës.

Tjera nga autori:
1