<b></b> +18: BBC zbulon pamje të ushtarëve rusë duke vrarë civilë ukrainas

+18: BBC zbulon pamje të ushtarëve rusë duke vrarë civilë ukrainas

12.05.2022 17:45

BBC ka siguruar pamje nga kamerat CCTV, ku shihen dy civilë, Leonid Pliats dhe shefi i tij duke u qëlluar pas shpine nga ushtarët rusë. Pamjet nga kamerat tregojnë detaje të qarta dhe të tmerrshme, dhe tani janë duke u hetuar nga prokurorët ukrainas si një krim i dyshuar lufte.

Në Kiev në këtë kohë ishte kulmi i luftimeve dhe rrugët kryesore ishin një fushë betejë, përfshirë edhe dyqanin e biçikletave ku punonte Leonid si roje sigurie.

Por, kjo nuk ishte një përleshje zjarri: videoja tregon qartë ushtarët rusë të armatosur rëndë që qëllojnë dy ukrainasit e paarmatosur dhe më pas plaçkisin biznesin.

BBC ka mbledhur sekuencën e plotë të ngjarjeve, duke bashkuar pamje nga kamera të shumta CCTV që ndodheshin rreth zonës, bashkë me dëshmitë e njerëzve që Leonid kishte telefonuar atë ditë si dhe luftëtarët ukrainas që ishin përpjekur ta shpëtonin.

Në pamje shihen rusët teksa mbërrijnë me një furgon të vjedhur të shënuar me shenjën V të përdorur nga forcat ruse dhe fjalët Tank Spetsnaz me bojë të zezë. Ata kanë të veshur uniformë ushtarake ruse dhe afrohen me armët e ngritura lartë dhe me gishta në këmbëza.

Ndërkohë, shihet Leonidi që ecën drejt ushtarëve me duart lart për të treguar se është i paarmatosur dhe nuk përbën kërcënim.

Rusët fillimisht flasin me të dhe shefin e tij përmes gardhit, në pamje nuk ka zë por ata duken të qetë madje edhe pinë duhan së bashku. Pastaj, ukrainasit dhe ushtarët fillojnë të largohen.

Papritur ushtaret rusë kthehen prapa, përkulen dhe i qëllojnë dy burrat disa herë në shpinë.

Njëri vritet menjëherë, por në një farë mënyre Leonidi arrin të ngirhet në këmbë. Ai madje e lidh rripin rreth kofshës për të ngadalësuar rrjedhjen e gjakut, e më pas ulet në kabinën e tij dhe fillon të thërrasë për ndihmë.

Leonidi, ndërsa rrinte ulur dhe i gjakosur rëndë kishte telefonuar mikun e tij Vasyl Podlevskyi. Ai i kishte thënë atij se ushtarët pretenduan se nuk vrisnin civilë, por më pas e qëlluan.

"Thashë a mund të fashosh të paktën? Dhe ai më tha, Vasya, mezi u zvarrita këtu. Gjithçka më dhemb shumë. Ndihem shumë keq," kujton Vasyl bisedën telefonike me Leonidin.

"Kështu që i thashë të rrinte aty dhe fillova të telefonoja mbrojtjen territoriale."

Burrat që miku i Leonidit kishte thirrur për ta shpëtuar Leonidin më parë shisnin kondicioner.

Tani luftëtarët vullnetarë, Sasha dhe Kostya treguan video në celularët e tyre të tankeve ruse që lëviznin pranë pozicioneve të tyre. Detyra e tyre ishte të dërgonin informacion në kohë reale mbi lëvizjet ruse në pozicionet ushtarake të Ukrainës në rrugë.

Kur Leonid Pliats u plagos, ata u nisën për të kaluar autostradën e rrezikshme E40 në përpjekje për ta shpëtuar. Edhe sot, rruga është e mbushur me kufoma të djegura të tankeve ruse - një kujtim i intensitetit të luftimeve.

E ndërsa roja i sigurisë shtrihej i gjakosur, trupat ruse ishin ende në vend.

Në pamje ata shihen duke qëlluar nëpër dhoma, duke vjedhur biçikleta, madje edhe një skuter dhe duke u futur në zyrën e drejtorit e duke pirë uiski.

Të shumtë në numër dhe vetëm të armatosur lehtë, Sasha dhe Kostya u detyruan të prisnin, megjithëse e dinin se Leonid po vdiste.

"Ne folëm me të në telefon, u përpoqëm ta qetësojmë. Ne i thamë, është në rregull. Gjithçka do të jetë mirë. Do të mbijetoni", tha Sasha, duke thënë se ata bënë çmos për ta ngushëlluar.

"Ne thamë se ishim nisur. Ndoshta kjo e ndihmoi atë. Ndoshta. Por për fat të keq, në kohën kur ne arritëm, ai kishte vdekur."

Edhe gjatë mbledhjes së trupave të dy burrave, luftëtarët vullnetarë duhej të fshiheshin pasi një tank rus u kaloi pranë.

Ka prova të shumta kundër personave përgjegjës për këto vrasje. BBC ka studiuar pamjet me detaje dhe njëri nga ushtarët rus duket mjaftë qartë sepse e kishte edhe fytyrën e zbuluar.

Kaloi shumë kohë para se miqtë e këtij ushtari të kuptojnë se po filmohen, e më pas ata thyen një nga kamerat e sigurisë.

BBC, ia ka treguar pamjet shefit të policisë për rajonin e Kievit dhe ai kishte thënë se trupat e 37 civilëve, të gjithë të vrarë, janë gjetur përgjatë rrugës për në kryeqytetin e Ukrainës pas tërheqjes së forcave ruse.

Zyra e Prokurorit ka konfirmuar se tani po heton vrasjen e Leonidit dhe kolegut të tij si një krim i mundshëm lufte: një nga më shumë se 10,000 rastet që ata kanë regjistruar.

"Babai im nuk ishte fare ushtarak. Ai ishte pensionist. Ata vranë një 65-vjeçar. Për çfarë?" Kjo është ajo që dëshiron të dijë vajza e Leonidit, Yulia Androshchuk.

Ajo ndodhet jashtë vendit dhe nuk ka mundur ta varros ende të atin për shkak të luftës.

"Unë nuk jam aq shumë e tërbuar sa kam pikëllim - dhe frikë. Këta rusë të mallkuar janë kaq jashtë kontrollit, sa kam frikë se çfarë mund të bëjnë më pas," tha ajo.

Julia shpreson se ata që janë përgjegjës do të dalin para gjyqit një ditë. Por, tani për tani, ajo dëshiron që njerëzit të dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur me babain e saj dhe që brutaliteti të ndalet.

Tjera nga autori:
1