<b></b> 5-vjeçares i vriten prindërit dhe vëllai nga rusët, vetë shpëtoi me plumb në kafkë

5-vjeçares i vriten prindërit dhe vëllai nga rusët, vetë shpëtoi me plumb në kafkë

13.05.2022 11:32

Vajza 5-vjeçare nga Ukraina, Anastasia Konchakovska, dëshiron që të mbahet nga nëna e saj. E shtrirë në një shtrat spitali në Bjellorusi, duke u shëruar nga operacioni për largimin e një cope fisheku nga kafka, të cilit iu nënshtrua muajin e kaluar, ajo vazhdimisht përsëriste një fjalë: “Mama”.

Kur i thanë se nëna e saj, Tetyana, ndodhej në punë, vajza e vogël tha se kjo nuk mund të ishte e vërtetë, sepse “ajo erdhi dhe u shtri me mua”.

Me gjasë, ajo e kishte parë nënë në ëndërr. Kujtimi i saj me nënën nuk ishte më i vërtetë se përralla se ajo ndodhej në punë.

Tetyana Konchakovska është vrarë bashkë me bashkëshortin dhe birin e saj më 28 shkurt, kur automjeti i tyre u sulmua në pritë nga forcat pushtuese ruse afër kryeqytetit ukrainas, Kiev, sipas familjares Anastasia Mizetskaya, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara.

Anastasia dhe gjyshja e saj, Vasylyna Moshchenko, i mbijetuan sulmit. Megjithatë, vajza tash ballafaqohet me rimëkëmbje të vështirë fizike e emocionale dhe mund të ketë dëmtim të përhershëm në syrin e djathtë.

Moshchenko ende nuk i ka treguar vajzës se prindërit dhe vëllai i saj janë vrarë. Anastasia është njëri nga mijëra fëmijët ukrainas që po vuajnë nga trauma e pamasë si rezultat i vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për ta pushtuar Ukrainën dhe nga trajtimi i civilëve nga forcat ruse.

Vendimi fatal

Si shumë të tjera, familja e vajzës u largua nga Kievi për t’u vendosur në periferi, duke besuar se do të jetë më e sigurt sesa po të qëndronte në kryeqytet, tha Mizetskaya.

Babai i vajzës së vogël, Oleh Konchakovskiy, që punonte si drejtues i automjeteve për një kompani për shpërndarjen e ushqimit, e vendosi familjen në veturën e bardhë që e përdorte për punë dhe e dërgoi te vëllai i bashkëshortes së tij, Pavlo, rreth 40 kilometra në veriperëndim të Kievit.

Megjithatë, ushtarët rusë, duke u futur në Ukrainë nga Bjellorusia, kaluan mu nëpër ato zona periferike, duke i vendosur luftimet në zonën Pavlo. Nëna e vajzës i shkroi familjares në ShBA më 26 shkurt, duke i thënë se ka të shtëna të kohëpaskohshme. Më 27 shkurt, ajo i tha se ka shumë bombardime afër vendit ku ndodhej familja.

E frikësuar dhe duke jetuar në shtëpinë e vëllait, që nuk kishte rrymë dhe ujë rrjedhës, Tetyana dhe bashkëshorti i saj vendosën që të ktheheshin në Kiev bashkë me fëmijët, kundër dëshirës së të afërmve të tyre. Ky ishte vendim fatal.

Gjatë rrugës për në Kiev, pak para mesditës së 28 shkurtit, trupat ruse, të fshehura në pyllin përgjatë rrugës, e sulmuan me fishekë automjetin, tregon gjyshja Vasylyna. Ajo tha se Tetyana, Oleh dhe 18-vjeçari Mykyta Bobrov u vranë në vend.

Ushtarët rusë i thanë gjyshes se ata kishin frikë që në automjet ndodheshin pjesëtarë të Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, njësite kryesisht vullnetare, që u krijuan në kohën kur Rusia grumbullonte dhjetëra mijëra ushtarë në kufi para luftës.

Pas sulmit, një oficer rus i mori gjyshen dhe vajzën dhe i dërgoi në bazën ajrore në Hostomel, që atëherë kontrollohej nga forcat ruse. Më pas, ato u dërguan me helikopter në Bjellorusi që vajza të operohej në sy, sipas Moshchenko-s.

Mjekët bjellorusë ia larguan plumbin nga kafka vajzës dy ditë më vonë. Me ndihmën e ambasadës ukrainase në Bjellorusi, ajo u dërgua në Gjermani, ku iu nënshtrua një operacioni të ri për largimin e copëzave të fishekut nga plumbi.

Anastasia po shërohet në Gjermani, ku po e nget biçikletën, po shikon filma vizatimor dhe po luan lojëra të ndryshme, ende e pavetëdijshme se çfarë ka ndodhur më 28 shkurt.

“Ata i vodhën gjithçka asaj”, tha Mizetskaya.

Radio Free Europe / Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1