<b></b> A mund të anëtarësohet Ukraina në BE dhe si mund të reagojë Rusia nëse ndodhë?

A mund të anëtarësohet Ukraina në BE dhe si mund të reagojë Rusia nëse ndodhë?

22.06.2022 17:16

Ukraina ka vendosur të bëhet një kandidat zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, hapi i parë për t’u bashkuar me bllokun 27-vendësh.

E ndërkohë që pritet që krerët e BE-së të mbështesin Ukrainën në këtë rrugë, në një samit që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor, presidenti ukrainas ka paralajmëruar se Rusia mund të shtojë sulmet e saj ushtarake në shenjë hakmarrjeje ndaj vendimit.

Çfarë është BE-ja?

Bashkimi Evropian është një bashkim ekonomik dhe politik midis 27 vendeve evropiane, i cili u krijua pas Luftës së Dytë Botërore.

Qytetarët e BE-së mund të jetojnë dhe punojnë kudo brenda bllokut, ndërsa mallrat shërbimet dhe paratë lëvizin lirshëm ndërmjet shteteve anëtare.

BE  operon me një monedhë të vetme evropiane, euron, e cila përdoret nga më shumë se 340 milionë njerëz në 19 nga 27 vendet e BE-së.

Në një sërë fushash, të gjitha shtetet anëtare zbatojnë standarde të përbashkëta, përfshirë sigurinë e ushqimit, bujqësinë dhe të drejtat e punësimit.

BE-ja gjithashtu jep grante për rajonet më të varfra të Evropës për të ndihmuar në forcimin e ekonomive të tyre.

Pse dëshiron Ukraina të bashkohet?

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky filloi aplikimin për anëtarësim në BE pesë ditë pasi Rusia pushtoi vendin e tij në shkurt 2022.

Kërkesa e tij është që vendi të bashkohet menjëherë me bllokun, por në fakt ky proces mund të zgjasë me vite.

Anëtarësimi në BE do të sillte përfitime financiare për vendin, por sipas Dr, Zach Paikin nga Qendra e Studimeve të Politikave Evropiane në Bruksel, motivi kryesor i Ukrainës për anëtarësim nuk është ekonomik.

"Anëtarësimi në BE do ta vendoste Ukrainën si një shtet të pavarur dhe sovran evropian," thotë ai duke shtuar se, "nuk do të mbetej më thjesht pjesë botës ruse.”

Si anëtarësohen vendet në BE?

Fillimisht Komisioni Evropian, shërbimi civil i BE-së, e vlerëson nëse një vend është një kandidat i përshtatshëm për t’u anëtarësuar.

Komisioni shqyrton nëse ka një qeveri të qëndrueshme, demokratike, respekton të drejtat e njeriut dhe ka një ekonomi tregu të lirë.

Ndërsa, në mënyrë që një vend i ri të bëhet anëtar, ekziston kushti që të gjithë anëtarët ekzistues të bien dakord për t’a pranuar.

Nëse një vend ka sukses në anëtarësim, duhet të miratojë të gjitha ligjet dhe rregulloret e BE-së.  Proces që zakonisht zgjat disa vite.

Dhe, së fundi, vendi nënshkruan një traktat pranimi të cilin të gjitha vendet e tjera të BE-së duhet ta ratifikojnë.

Sa kohë zgjat anëtarësimi në BE?

Për anëtarët e fundit të bashkuar me BE-në, Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë, i gjithë procesi ka zgjatur nga 10 deri në 12 vjet.

Ndërkohë që, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë kandidatë zyrtarë prej vitesh, por aplikimet e tyre kanë ngecur.

Turqia është vend kandidat që nga viti 1999. Megjithatë, për shkak të shqetësimeve në lidhje me të dhënat e vendit për të drejtat e njeriut, bisedimet për pranimin e saj janë ndërprerë.

Fqinja e Ukrainës, Moldavia, u pranua si kandidat në të njëjtën ditë me Ukrainën.  Aplikim për anëtarësim ka bërë edhe Gjeorgjia, por BE i kërkoi reforma të mëtejshme.

Cilat janë lidhjet aktuale të Ukrainës me BE-në?

Që nga viti 2017, sipas një marrëveshje të ashtuquajtur marrëveshje asociimi, Ukraina ka qenë në gjendje të tregtojë me shtetet e BE-së pa paguar tarifa.

Si pjesë e përgatitjes së saj për të aplikuar për anëtarësim, Ukraina tashmë ka ndryshuar shumë nga ligjet dhe rregulloret e saj në mënyrë që të përmbushë standardet e BE-së.

Çfarë duhet të bëjë tjetër Ukraina?

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen thotë se "është bërë punë e mirë", por se Ukraina edhe më tej duhet të bëjë "reforma të rëndësishme."

E veshur me ngjyrat e Ukrainës, von der Leyen tha se donte që vendi "të jetonte ëndrrën evropiane".

Këto përfshijnë forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e të drejtave të njeriut, reduktimin e fuqisë së oligarkëve dhe trajtimin e korrupsionit.

Një sfidë tjetër do të jetë pastrimi i sistemit gjyqësor të Ukrainës, i cili është i kritikuar gjerësisht.

Si i ka ndihmuar anëtarësimi në BE anëtarët e fundit?

Që nga anëtarësimi 15 vjet më parë, të ardhurat kombëtare të Rumanisë janë trefishuar dhe ato të Bullgarisë janë dyfishuar.

BE-ja u ka dhënë dhjetëra miliarda euro të dyja vendeve përmes Fondeve Strukturore dhe Investimeve Evropiane. Këto fonde mbështesin zhvillimin ekonomik, për shembull, duke ndërtuar rrugë dhe porte të reja.

Midis viteve 2014 dhe 2020, Bullgaria mori 11.2 miliardë euro dhe Rumania 35 miliardë euro.

Megjithatë, Transparency International argumentoi se shumë nga këto para janë humbur nga korrupsioni.

Për sa i përket pagave, shëndetësisë dhe arsimit, Bullgaria mbetet në fund të ligës së BE-së, por Rumania ka kaluar nga vendi i dytë më i varfër në të gjashtin.

Si ka reaguar Rusia ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ukrainës në BE?

Megjithëse presidenti Vladimir Putin ka qenë shumë kritik ndaj dëshirës së gjatë të Ukrainës për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s, ai ka këmbëngulur se nuk ka "asgjë kundër" që Ukraina të bëhet anëtare e BE-së.

Megjithatë, zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, ka thënë se Kremlini do t'i kushtojë "vëmendje të shtuar" aplikimit sepse BE po shqyrton formimin e forcës së saj mbrojtëse.

"Përbërësit ushtarakë të mbrojtjes dhe të sigurisë janë duke u diskutuar," është shprehur Peskov, duke shtuar se “po i vëzhgon të gjitha me kujdes.”

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës Zelensky ka paralajmëruar se Rusia mund të hakmerret kundër këtij hapi.

"Natyrisht, ne duhet të presim një aktivitet më të madh armiqësor nga Rusia," ka thënë Zelensky, duke shtuar se një gjë e tillë “nuk do të ndodhë vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër vendeve të tjera evropiane.”

Artikull i përkthyer nga BBC.

Tjera nga autori:
1