<b></b> A mund të lehtësojë hidrogjeni varësinë e Gjermanisë nga gazi rus?

A mund të lehtësojë hidrogjeni varësinë e Gjermanisë nga gazi rus?

24.05.2022 19:43

Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Gjermania ka reduktuar varësinë e saj nga nafta ruse nga 35% në 12% dhe nga gazi rus nga 55% në 35%.

Megjithatë, tregtimi i energjisë është një burim i madh i të ardhurave për Moskën, ku sipas institutit finlandez CREA. vetëm gjatë dy muajve të parë të luftës, Gjermania pagoi pothuajse 9 miliardë euro për importet e naftës dhe gazit rus.

Një profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Erlangen-Nurnberg e quajtur Veronika Grimm, e cila aktualisht është edhe një nga tre kshilltaret speciale për qeverinë federale të Gjermanisë, tha se,"ne duhet të diversifikojmë dhe dekarbonizojmë burimet tona të energjisë më shpejt se sa ishte planifikuar fillimisht."

Grimm shtoi se për arritjen e këtij qëllimi, kombi duhet të rrisë përdorimin e hidrogjenit.

BBC,shkruan se, hidrogjeni mund të ruajë sasi të mëdha energjie, të zëvendësojë gazin natyror në proceset industriale dhe të fuqizojë qelizat e karburantit në kamionë, trena, anije ose aeroplanë që nuk lëshojnë asgjë përveç avullit të ujit të pijshëm. Hidrogjeni po ashtu mund të përdoret në procese industriale si prodhimi i çelikut.

Dhe tani, entuziazmi i Grimm po fiton mbështetje, pasi sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), një grup kërkimor për energjinë, dhjetëra vende kanë botuar ose janë gati për të publikuar strategji kombëtare të hidrogjenit.

Por, pavarësisht nga kjo stuhi e interesit, nuk është ende e qartë se përdorimi në shkallë të gjerë i hidrogjenit mund të bëhet i zbatueshëm.

Në fund të fundit, një nismë të ngjashme ka patur edhe më parë: në vitet 1970, pas dy krizave të naftës dhe në vitet 1990, kur u ngritën shqetësimet klimatike. Por të dyja nuk zgjatën shumë. Pra, a është zhurma e sotme për hidrogjenin më ndryshe?

Përgjigja varet nga personi që pyesni. Grupet e mjedisit janë të kujdesshëm, ata theksojnë se hidrogjeni nuk mund të merret si lëndë djegëse parësore. Së pari, hidrogjeni duhet të bëhet në dy mënyra, secila e shënuar më një kod ngjyre.

I pari, hidrogjeni jeshil prodhohet duke përdorur energjinë elektrike nga energjia e rinovueshme për të ndarë ujin në molekula hidrogjeni dhe oksigjeni duke përdorur një elektrolizer. Por pajisjet dhe energjia elektrike për t'a realizuar këtë kanë një kosto të lartë.

E sipas IEA, kjo kosto do të thotë se, për momentin, një hidrogjen i tillë pa emetim përbën vetëm 0.03% të prodhimit global të hidrogjenit. Hidrogjeni jeshil prodhohet duke përdorur energjinë diellore ose të erës.

Më pas vjen hidrogjeni gri, i cili është deri në pesë herë më i lirë dhe rrjedh nga gazi natyror ose në disa raste nga nafta ose qymyri. Por, për shkak të humbjeve që shkaktohen gjatë prodhimit të tij, ky hidrogjen emeton deri në 50% më shumë CO2 sesa djegia e drejtpërdrejtë e gazit natyror.

Një teknikë e lidhur me këtë njihet si hidrogjeni blu, mbështetet në të njëjtin proces, por kap rreth 60-90% të karbonit të emetuar në prodhim për ripërdorim ose ruajtje.

E meta e kësaj metode është se ajo përafërsisht trefishon koston dhe i mungojnë pajisjet e prodhimit në shkallë të gjerë. Pra, vetëm 0.7% e hidrogjenit të prodhuar globalisht është blu.

Do të thotë që, megjithë imazhin dhe potencialin e tij miqësor ndaj mjedisit, prodhimi global i hidrogjenit aktualisht emeton pothuajse tre herë më shumë CO2 sesa një vend i tërë, për shembull Franca.

Atëherë, për këtë çështje ka të bëjë shumë mënyra se si vendet vendosin ta prodhojnë hidrogjenin.

Disa vende tashmë kanë një prioritet të qartë - për të fuqizuar elektrolizuesit, shumica e vendeve të nxehta vënë bast për energjinë diellore, ndërsa Franca mbështetet në energjinë bërthamore.

Ndërkohë Kina nxjerrë hidrogjenin gri të lirë nga qymyri dhe gazi dhe investon në alternativa të gjelbra.

ShBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Holanda dhe Norvegjia po udhëheqin nismën për hidrogjenin blu, duke injektuar karbonin e kapur në fushat e naftës dhe gazit për ruajtje afatgjatë, ose për të ashtuquajturin rikuperim të përmirësuar të naftës që nxit nxjerrjen.

Megjithatë, në Gjermani tabloja nuk është shumë e qartë.

Në janar, ministri i Ekonomisë Robert Habeck njoftoi një nismë ambicioze për burimet e rinovueshme dhe një dyfishim të objektivit dyvjeçar për prodhimin vendas të hidrogjenit të gjelbër për t'u rritur me një faktor prej 150 nga 70 MW që është sot, në 10 GW deri në vitin 2030.

Ky objektiv përfaqëson një të katërtën e të gjithë synimit të BE-së prej 40 GW dhe është më i lartë se objektivi i Francës prej 6.5 GW.

Pra, ndërsa ky prodhim vendas zgjerohet, Gjermania po kërkon të marrë hidrogjen nga jashtë.

Andreas Kuhlmann, kreu i Agjencisë Gjermane të Energjisë, (një kompani në pronësi të qeverisë që lehtëson tranzicionin e energjisë duke koordinuar Këshillin e Hidrogjenit), thotë se Gjermania ka përshpejtuar në mënyrë dramatike negociatat ndërkombëtare për të blerë hidrogjen.

Kjo mund të përfshijë zhvillimin e tubacioneve të hidrogjenit për t'u lidhur me Evropën Jugore, ku kushtet e favorshme për energjinë diellore dhe të erës lejojnë prodhimin me kosto efektive të hidrogjenit.

Ndërsa, Habeck po viziton furishëm eksportuesit e energjisë. Brenda një jave në mars, ai udhëtoi në Norvegji për të rënë dakord për një studim fizibiliteti për ndërtimin e një tubacioni hidrogjeni, shkoi në Katar për të finalizuar një partneritet energjetik dhe vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe për të nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi.

Dërgesat e para nga Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të mbërrijnë në Gjermani në fund të këtij viti. Ndërsa, vendet e tjera në radarin e hidrogjenit të Habeck janë Irlanda, Arabia Saudite, Omani, Kili, Namibia dhe Australia.

Tjera nga autori:
1