<b>Aleatët i premtojnë </b> Ukrainës më shumë armë për ta ndihmuar në fitoren e luftës

Aleatët i premtojnë Ukrainës më shumë armë për ta ndihmuar në fitoren e luftës

19.04.2022 23:30

ShBA dhe aleatët e tjerë u zotuan të dërgojnë artileri, ndihmë kundër tankeve dhe mbrojtjes ajrore në Kiev, gjatë një video-telefonate 90-minutëshe të realizuar ditën e martë.

Ukraina thotë se i duhen armët për të ndihmuar në mbrojtje, ndërsa Rusia nis një fushatë të re në lindje të vendit.

Përplasjet atje kanë shënuar atë që lideri ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte fillimi i "betejës për Donbas".

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson pas takimit me liderët e tjerë, tha në parlament se “ky do të bëhet një konflikt artilerie.”

"Ata [Ukraina] kanë nevojë për mbështetje me më shumë artileri, kjo është ajo që ne do t'u japim.”

Duke folur me gazetarët në New Hampshire, presidenti amerikan Joe Biden konfirmoi se Uashingtoni do t'i dërgonte gjithashtu Ukrainës më shumë artileri - armë të rënda për luftën tokësore.

Ndërsa, në Berlin, kancelari Olaf Scholz tha se Gjermania po siguronte financa për t'i mundësuar Ukrainës të blejë armë dhe municione antitank nga prodhuesit gjermanë të armëve.

“Qëllimi është të forcohet ushtria ukrainase në mënyrë që të mund të shtyjë sulmin rus”, tha ai.

Ndërkohë, Republika Çeke tha se do të riparonte tanket dhe automjetet e blinduara ukrainase kur ato dëmtohen në luftime.

Premtimet për armë pasojnë një thirrje të ripërtërirë nga presidenti Zelensky për aleatët që të rrisin furnizimet e tyre me armë në Kiev.

"Ne kemi nevojë për artileri të rëndë, automjete të armatosura, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë - gjithçka për të zmbrapsur forcat ruse dhe për të ndaluar krimet e tyre të luftës,"  tha Zelensky javën e kaluar, duke shtuar se "askush nuk do ta ndalë Rusinë përveç Ukrainës me armë të rënda".

Kujtojmë se në fillim të kësaj jave dërgesat e para të një pakete të re ndihme ushtarake prej 800 milionë dollarësh nga ShBA, mbërritën në kufirin ukrainas - ndihmë të cilën Rusia e kundërshtoi ashpër.

Tjera nga autori:
1