<b></b> Amnesty International: Ka prova që Rusia ka përdorur municione thërrmuese në Kharkiv

Amnesty International: Ka prova që Rusia ka përdorur municione thërrmuese në Kharkiv

12.06.2022 23:50

Sipas një studimit të ri nga Amnesty International, në qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, Rusia ka vrarë qindra civilë duke përdorur granatime pa dallim dhe municione thërrmuese të ndaluara gjerësisht.

Amnesty tha se kishte gjetur prova se forcat ruse kanë përdorur në mënyrë të përsëritur bomba thërrmuese 9N210/9N235, si dhe municione "të shpërndara" - raketa që lëshojnë mina më të vogla që shpërthejnë më vonë në intervale të caktuara kohore.

"Ato ndikime janë nga municionet thërrmuese, është një nënshkrim klasik," tha Mark Hizney, një studiues i lartë në divizionin e armëve të Human Rights Watch.

Municionet thërrmuese janë të diskutueshme, sepse ato shpërthejnë në ajër dhe lëshojnë një grup bombash më të vogla të cilat bien pa dallim në një zonë të gjerë, duke vënë potencialisht në rrezik civilët.

Bombat më të vogla gjithashtu shpesh dështojnë të shpërthejnë, duke paraqitur një kërcënim për vitet në vijim.

Pas dy javësh kërkime në terren, Amnesty International ka hetuar 41 sulme në Kharkiv në të cilat të paktën 62 civilë janë vrarë dhe 196 të tjerë janë plagosur. Amnesty gjeti prova të municioneve thërrmuese dhe raketave të padrejtuara që vrisnin njerëz teksa ishin duke bërë pazar, ishin në radhë për ndihma ushqimore, ose thjesht ishin duke ecur në rrugë.

"Këto armë nuk duhet të përdoren kurrë," tha për BBC-në Donatella Rovera, këshilltare e lartë e Amnesty për reagimin ndaj luftës. "Ato nuk mund të identifikohen me saktësi. Ato janë armë të zonës, dhe kanë një efekt shkatërrues dhe shkaktojnë shumë vdekje e lëndime civile."

Rovera tha se, përdorimi i armëve ishte "i barabartë me shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve", duke shtuar se "Rusia nuk mund të pretendojë se nuk e di efektin e këtyre llojeve të armëve."

Rusia ka mohuar më parë përdorimin e municioneve thërrmuese në Ukrainë, duke këmbëngulur se forcat ruse kanë goditur vetëm objektiva ushtarake. E ndërsa më shumë se 120 vende kanë nënshkruar një traktat që ndalon përdorimin e armëve të tilla, as Rusia e as Ukraina nuk janë nënshkruese të tij.

Tjera nga autori:
1