<b></b> BE, ShBA dhe Britania akuzojnë Rusinë për hakim të internetit satelitor në fillim të luftës

BE, ShBA dhe Britania akuzojnë Rusinë për hakim të internetit satelitor në fillim të luftës

10.05.2022 17:02

Inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së, thonë se Rusia qëndron pas një sulmi kibernetik që synonte kompaninë amerikane të internetit satelitor Viasat.

BBC shkruan se, sulmi ndaj kompanisë kishte filluar një orë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, më 24 shkurt.

Ai shkaktoi ndërprerje për disa mijëra klientë ukrainas - dhe preku fermat e erës dhe përdoruesit e internetit në Evropën Qendrore.

Zyrtarët kanë besuar prej kohësh se Rusia ishte fajtore, por nuk kishin prova për ta thënë këtë publikisht.

Viasat ofron internet satelitor me shpejtësi të lartë për klientët komercialë dhe ushtarakë. Kompania ka thënë më parë se në sulmin kibernetik ishin dëmtuar "dhjetëra mijëra terminale", megjithëse infrastruktura e saj kryesore dhe vetë sateliti mbetën të padëmtuara.

Tani, një njoftim i përbashkët i BE-së, Britanisë së Madhe, ShBA-së dhe aleatëve të tjerë konfirmon dyshimet e gjata që objektivi kryesor ishte ushtria ukrainase. Dhe Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Mbretërisë së Bashkuar tha se ishte "pothuajse e sigurt" se Rusia qëndronte pas sulmit.

Ndërkohë, një zyrtar britanik i inteligjencës tha se lufta në Ukrainë ka parë ofensivën më të qëndrueshme të operacioneve kibernetike që një vend ka nisur kundër një tjetri.

Direkt në mbështetje të operacioneve ushtarake, ky sulm u përhap edhe në vende të tjera. Megjithatë, deri më tani, Rusia nuk ka nisur sulme më të gjera kundër objektivave perëndimore.

Sipas zyrtarit inteligjenca ushtarake ruse - GRU - ishte përfshirë në hakimin e 13 janarit të faqeve të internetit të qeverisë ukrainase dhe sulmet duke përdorur një lloj malëare shkatërrues të quajtur Whispergate në të njëjtin muaj.

Ndërsa, sipas Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës së ShBA, Whispergate u përdor në muajt para konfliktit, kundër organizatave në Ukrainë, në një përpjekje për të "shkatërruar sistemet kompjuterike dhe për t'i bërë ato të jofunksionale".

Britania e Madhe ka sanksionuar tashmë GRU-në, pas një sulmi me agjent nervor në Salisbury, Wilts, që la një person të vdekur dhe disa të tjerë të sëmurë rëndë.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha në një deklaratë që shoqëronte njoftimin se: "Kjo është dëshmi e qartë dhe tronditëse e një sulmi të qëllimshëm dhe keqdashës nga Rusia kundër Ukrainës, i cili kishte pasoja të rëndësishme për njerëzit e zakonshëm dhe bizneset në Ukrainë dhe në mbarë Evropën".

Tjera nga autori:
1