<b></b> BE blen 110,000 doza vaksinash kundër lisë së majmunëve

BE blen 110,000 doza vaksinash kundër lisë së majmunëve

14.06.2022 15:56

Në emër të shteteve anëtare të BE-së, komisionerja e shëndetësisë, Stella Kyriakides, ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë rreth 110,000 doza të një vaksine që do të përdoret kundër lisë së majmunëve, në emër të shteteve anëtare, njoftoi ajo të martën (14 qershor).

Komisioni, nëpërmjet Autoritetit të Përgatitjes dhe Reagimit ndaj Emergjencave Shëndetësore (HERA) dhe mekanizmit EU4Health, ka blerë vaksina të gjeneratës së tretë të lisë që janë efektive kundër virusit të lisë së majmunëve. Dërgesat e para të vaksinave priten në fund të qershorit.

"Kjo është hera e parë që ne po përdorim fondet e BE-së për të blerë vaksina që më pas mund t'i shpërndajmë në vendet anëtare," tha Kyriakides.

"Kjo tregon se çfarë mundemi të bëjmë kur punojmë së bashku dhe tregon fuqinë e të pasurit struktura në mënyrë që të mund t'i përgjigjemi menjëherë një krize si ajo që kemi tani."

Rastet e lisë së majmunëve vazhdojnë të rriten dhe që nga e hëna, rreth 900 raste u raportuan në 21 vende të BE/ZEE, me rreth 500 raste të raportuara jashtë BE-së në vendet jo-endemike. Spanja, Portugalia dhe Gjermania kanë raportuar shumicën e rasteve në bllok, ndërsa Britania e Madhe ka numrin më të lartë në mbarë botën.

Rastet janë përgjithësisht të lehta dhe nuk janë raportuar vdekje, por virusi mund të përbëjë rreziqe për njerëzit me shëndet të dobët.

Vaksinat e blera nga BE-ja u zhvilluan fillimisht për të luftuar linë - një virus nga e njëjta familje me linë e majmunëve.

"Ne e dimë se vaksina për linë e zakonshme mund të përdoret për linë e majmunëve me një nivel të lartë efikasiteti," konfirmoi Sylvie Briand, drejtoresha e departamentit të gatishmërisë globale për rrezikun infektiv të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gjatë një konference për shtyp të mërkurën (8 qershor).

Siç ka thënë zëdhënësi i komisionit, vaksinat nuk do të përdoren për vaksinim masiv, por për grupe të caktuara, pasi virusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë lëkurë me lëkurë.

“Vaksinimi do të kufizohet në raste shumë specifike pasi transmetueshmëria e rrezikut nga virusi nuk është e krahasueshme, për shembull, me rreziqet që ne njohim në kontekstin e COVID-it”, tha zëdhënësi i komisionit.

Tjera nga autori:
1