<b></b> BE dhe SHBA kritikojnë ndërprerjen e gazit rus, angazhohen në forcimin e sigurisë energjetike të BE-së

BE dhe SHBA kritikojnë ndërprerjen e gazit rus, angazhohen në forcimin e sigurisë energjetike të BE-së

26.05.2022 09:22

Në një deklaratë të përbashkët, Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur premtimet për angazhimin e tyre për sigurinë energjetike të BE-së dhe kritikuan ndërprerjet e gazit rus, duke i quajtur "të pajustifikuara dhe të papranueshme".

"Shtetet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian dënojnë përdorimin e shantazhit të Rusisë nëpërmjet energjisë dhe riafirmojnë angazhimin për të forcuar sigurinë energjetike të Evropës", thuhet në deklaratë.

Kjo vjen pas vendimit të Rusisë për të ndaluar ofrimin e gazit fosil në Finlandë si rezultat i refuzimit të Helsinkit për të paguar në rubla, siç kërkoi Moska të bënin të gjitha "vendet jomiqësore".

Sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, kjo lëvizje e fundit nuk e vë në rrezik sigurinë e furnizimit me energji të Finlandës dhe as të BE-së.

“Komisioni dhe vendet anëtare janë përgatitur për shumë muaj për ndërprerje nga Rusia dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e sistemit energjetik të BE-së. Sistemi ynë është krijuar për të siguruar flukse të kundërta të gazit kur është e nevojshme dhe solidaritet midis shteteve anëtare, "ka thënë zëdhënësi i KE-së për Euractiv.

Krahas kësaj, roli i gazit në përdorimin për energji në Finlandë është i vogël, duke zënë më pak se një të dhjetën e konsumit të energjisë në vend.

Oda Finlandeze e Tregtisë ka siguruar se ndërprerja e importeve ruse nuk do të ketë efekte dramatike dhe se mund të ketë furnizim të mjaftueshëmme gaz nëpërmjet tubacionit Baltik gjatë verës.

"Kompanitë finlandeze janë përgatitur për mundësinë e një goditjeje të furnizimit me gaz duke gjetur rrugë të tjera furnizimi dhe duke kaluar në lëndë të tjera të para dhe burime energjie," ka thënë, Teppo Säkkinen, këshilltar për Politikat Industriale dhe Klimatike në Odë

“Çmimi i lartë i gazit natyror tashmë i ka shtyrë industritë të kërkojnë alternativa dhe mënyra për të ulur përdorimin e tij,” shtoi ai.

Megjithatë, zëvendësimi i gazit rus nuk do të jetë "pa probleme", tha në një deklaratë ministria finlandeze e ekonomisë dhe punësimit.

“Ndikimi i saktë në disponueshmërinë dhe çmimin e gazit do të varet nga rrugët e importit të përdorura dhe nga zhvillimi i kërkesës. Në verë, kërkesa është dukshëm më e ulët se në dimër,” deklarojnë nga Ministria.

Qeveria finlandeze po punon për të përmirësuar infrastrukturën e saj të gazit natyror të lëngshëm (LNG) për të zbutur ndikimin e vendimit të Moskës. Kjo përfshin huazimin e një terminali lundrues importi LNG nga një ofrues amerikan që do të jetë funksional para fundit të vitit 2022.

Kjo vjen së bashku me një marrëveshje të bërë në mars midis SHBA dhe BE-së për të krijuar një task forcë të përbashkët për sigurinë e energjisë për të ndihmuar në diversifikimin e furnizimit me gaz të Evropës dhe ndërtimin e teknologjisë së energjisë së pastër.

Si pjesë e grupit të punës, SHBA do të sigurojë 15 miliardë metra kub LNG shtesë për Bashkimin Evropian deri në fund të vitit.

Tjera nga autori:
1