<b></b> BE-ja vendos ekuilibër më të mirë gjinor në bordet e korporatave evropiane

BE-ja vendos ekuilibër më të mirë gjinor në bordet e korporatave evropiane

08.06.2022 13:51

Ligjvënësit e BE kanë rënë dakord për një objektiv kontinental për të vendosur një ekuilibër më të mirë gjinor në bordet e kompanive në Evropë.

Negociatorët nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian thanë se gjetën gjuhë të përbashkët për një propozim që u bë për herë të parë nga Komisioni Evropian, ekzekutivi i BE-së, në vitin 2012.

“Pas 10 vitesh, që kur Komisioni Evropian propozoi këtë direktivë, është koha e fundit që të thyejmë tavanin prej xhami”, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në një deklaratë.

"Ka shumë gra të kualifikuara për pozita të larta: ato duhet të jenë në gjendje t'i marrin ato," shtoi ajo.

Sipas rregullave të reja, vendet e BE-së duhet të sigurojnë që kompanitë e listuara të kenë të paktën 40% të vendeve të bordit jo-ekzekutiv "me gjininë e nënpërfaqësuar" deri në fund të qershorit 2026, thuhet në deklaratë.

Për shtetet anëtare që vendosin kuota si në bordet ekzekutive ashtu edhe në ato joekzekutive, kërkesa do të jetë 33%.

Kompanitë që nuk arrijnë objektivin do të jenë të detyruara të "zbatojnë kritere transparente dhe neutrale gjinore" për të zgjidhur problemin.

Këto kompani duhet gjithashtu “të kenë prioritet gjininë e nënpërfaqësuar” nëse dy kandidatë të gjinive të ndryshme janë të kualifikuar në mënyrë të barabartë, thuhet në deklaratë.

Për t'i dhënë rregullave, shtetet anëtare do të duhet gjithashtu të krijojnë një sistem ndëshkimi për kompanitë që nuk respektojnë rregullat.

“Pavarësisht që kishte me vite pengesa, unë jam krenare që i kam shtyrë vendet anëtare që më në fund të bien dakord për këtë moment historik “gratë në borde”, tha eurodeputetja Lara Wolters, e cila negocioi ligjin për Parlamentin.

Sot, sipas komisionit, vetëm nëntë nga 27 shtete anëtare kanë legjislacion kombëtar në lidhje me barazinë gjinore në borde.

Përfaqësimi gjinor në bordet e korporatave ndryshon gjerësisht sipas vendit, ku Estonia ka 9% të vendeve joekzekutive të mbajtura nga gratë dhe Franca më shumë se 45%. Kjo e fundit ka objektivin e saj ligjor prej 40% dhe është i vetmi shtet i BE-së që e kapërcen këtë numër.

Instituti Evropian për Barazinë Gjinore (EIGE), agjenci kjo e BE-së, tha që prillin e kaluar kuota të tilla detyruese janë dëshmuar më efektive në përmirësimin e ekuilibrit në borde krahasuar me vendet që ligjësojnë masa më të buta ose nuk kanë fare.

Falë kuotave gjinore, pjesa e grave në bordet e kompanive më të mëdha të listuara publikisht në BE ishte rritur në 31.3%, nga 11.9% në 2010, raporton Euractiv.

Por kjo do të thoshte se shtatë nga 10 personat në bordet e kompanive ishin burra.

Tjera nga autori:
1