Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, tha se Ukraina ka pësuar dëme në vlerë rreth 60 miliardë dollarë në ndërtesa dhe infrastrukturë që nga pushtimi i Rusisë dhe kostoja do të rritet më shumë ndërsa lufta vazhdon.
Malpass foli për nevojat e ndihmës financiare të Ukrainës duke thënë se vlerësimi i hershëm i kostove të dëmit nuk përfshin kostot ekonomike në rritje të luftës në Ukrainë.
"Sigurisht që lufta është ende në vazhdim, kështu që këto kosto po rriten," tha Malpass.
Ndërkohë, vlerësimet e Ukrainës për dëmet janë shumë më të larta, ku të hënën ministri i infrastrukturës i Ukrainës, Oleksander Kubrakov tha se vetëm fatura për infrastrukturën tashmë ishte 100 miliardë dollarë, ndërsa zyrtarët thanë se fatura e plotë për dëmet, përfshirë ndërtesat, ishte rreth 500 miliardë dollarë.
Kubrakov tha se 30 për qind e të gjithë infrastrukturës së Ukrainës ishte dëmtuar ose shkatërruar, duke shtuar se pret qe vendet perëndimore të mbështesin rindërtimin e Ukrainës, me një pjesë të parave që vijnë nga asetet e ngrira ruse.