<b></b> Banorët e Kharkivit e krahasojnë Putinin me Hitlerin: Është një përbindësh që duhet ta mposhtim

Banorët e Kharkivit e krahasojnë Putinin me Hitlerin: Është një përbindësh që duhet ta mposhtim

30.05.2022 23:26

Pas vizitës së presidentit ukrainas në Kharkiv, presidenti rus Vladimir Putin ka intesifikuar bombardimet ndaj këtij qyteti.

Sipas The Sun, banorët mendojnë se sulmet e fundit ruse janë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj udhëtimit të befasishëm të Zelenskyt, të realizuar ditën e dielë.

Në muajt e parë të pushtimit qyteti ishte një objektiv kryesor, por pasi rusët u mundën, ishte bërë një vend relativisht paqësor.

E ndërsa tani, Rusia kërkon të krijojë më shumë terren në rajonin lindor të Donbasit, banorët në Kharkiv kanë frikë se qyteti që është vetëm 30 milje nga kufiri rus do të jetë i pari për t’u pushtuar në listën e Putinit.

Në qytet ka ndërtesa e shtëpi të dëmtuara rëndë, dhe gjatë gjithë kohës dëgjohen zhurma të forta nga konflikti.

Forcat ruse filluan një sulm të madh në fillim të majit në Kharkiv, por rezistenca heroike nga trupat ukrainase  bëri që në javën e dytë të luftimeve ata të tërhiqeshin.

Edhe pse, vendasit vendosën sërish flamujt ukrainas, ata e dijnë se sulmet e ardhshme janë shumë të mundshme.

Një banor vendas tha për The Sun se: “Këto taktika janë të liga. Ata na erdhën aq fort dhe ne shpëtuam. Pastaj kishim javë të tëra qetësie dhe menduam se na kishin lënë rehat. Ne u lehtësuam. Por kemi të bëjmë me një kriminel lufte, një përbindësh. Ai është kthyer dhe po hedhin raketa gjatë gjithë kohës-gjendja është përkeqësuar që nga vizita e Zelenskyt."

“Ka granatime të vazhdueshme. Është si Hitleri. Qiejt janë plot me tinguj sulmesh. Ne duhet të jemi të guximshëm dhe duhet ta mposhtim këtë përbindësh,” shtoi ai.

Presidenti Zelensky u largua nga Kievi për herë të parë që nga fillimi i luftës për të vizituar Kharkivin të dielën dhe gjatë vizitës dërgoi një mesazh sfidues.

Edhe kryeprokurori i qytetit ka folur për frikën e tij se Rusia do të kthehet dhe do të përpiqet të marrë përsëri kontrollin e qytetit. Olexandr Filchakov tha se ekipi i tij po hetonte më shumë se 1,000 krime lufte në rajon, duke përfshirë vrasjet dhe përdhunimet. Ndërsa, njoftoi se ditën e premte nga një shpërthim që ndodhi në qytet u vranë një burrë dhe një foshnjë, e në një sulm tjetër u vranë të paktën nëntë persona e mbetën të plagosur 17 të tjerë.

Filchakov, diskutoi rreth situatës me The Sun, dhe tha se: “Ata po përpiqen të kthehen. Ata po përpiqen të kundërsulmojnë. Çdo ditë ka granatime të qytetit dhe rajonit. Ne do të gjejmë përgjegjësit dhe do të sigurohemi që ata të përgjigjen dhe të ndëshkohen për krimet e tyre. Do marrim drejtësi. Ne do t'i krijojmë provat dhe do t'i vendosim para një gjyqtari.”

Filchakov po ashtu tha se ekipi i tij po heton 72 vendas të dyshuar të korruptuar, duke përfshirë oficerë policie dhe një gjykatës, të cilët akuzohen për dhënie informacioni në Rusi.

Ndërkohë, ai iu lut vendeve të tjera që të dërgonin më shumë armë si Britania. Ai shtoi se “mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë e shkëlqyer. Por ne kemi nevojë për gjithnjë e më shumë vende që të ndjekin Britaninë.”

Ndërkohë, presidenti Zelensky gjatë vizitës së tij në Kharkiv, u fotografua i veshur me një jelek antiplumb duke vëzhguar rrënojat. Ai falenderoi ushtarët për shërbimin, dhe më vonë shkarkoi shefin e sigurimit lokal “për mosmbrojtje” të qytetit.

Tjera nga autori:
1