Biden i quan "barbarizëm" granatimet ruse mbi Kievin - NACIONALE

Biden i quan "barbarizëm" granatimet ruse mbi Kievin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Raketat ruse kanë goditur një ndërtesë banimi dhe një kopsht fëmijësh në kryeqytetin ukrainas Kiev të dielën. Presidenti i SHBA Joe Biden i dënoi sulmet duke i quajtur "barbarizëm", ndërsa liderët botërorë janë mbledhur në Evropë për të diskutuar sanksione të mëtejshme kundër Moskës.

Katër shpërthime tronditën qendrën e Kievit në mëngjesin e hershëm, në sulmin e parë të tillë në qytet pas disa javësh. Dy shpërthime të tjera u dëgjuan në periferinë jugore të qytetit më vonë gjatë ditës, reporton Reuters.

"Rusët goditën përsëri Kievin. Raketat dëmtuan një ndërtesë banimi dhe një kopsht fëmijësh," tha Andriy Yermak, kreu i administratës së presidentit.

Një fotograf i Reuters pa një krater të madh shpërthimi pranë një sheshi lojrash në një kopsht fëmijësh privat që kishte thyer xhamat.

Shefi i policisë së Ukrainës, Ihor Klymenko, tha në televizionin kombëtar se pesë persona ishin plagosur dhe policia më vonë tha se një person ka humbur jetën.

“Vazhdon barbarizmi i tyre”, tha Biden, duke iu referuar sulmeve me raketa, ndërsa udhëheqësit e demokracive të pasura të Grupit të Shtatë (G7) u mblodhën për një samit në Gjermani.

Ndërsa konflikti më i madh tokësor i Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore hyri në muajin e tij të pestë, aleanca perëndimore që mbështet Kievin ka filluar të shfaq shenja tendosjeje ndërsa liderët po shqetësohen për koston ekonomike në rritje, duke përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Perëndimi duhet të mbajë një front të bashkuar kundër Putinit.

“Çmimi i tërheqjes, çmimi i lejimit të Putinit për të pasur sukses, për të sulmuar pjesë të mëdha të Ukrainës, për të vazhduar me programin e tij të pushtimit, ai çmim do të jetë shumë, shumë më i lartë”, u tha ai gazetarëve.

Lajme të ngjashme