<b></b> Bideni e “harron” Khashoggin, pritet të takohet me Princin Mohammed të Arabisë Saudite

Bideni e “harron” Khashoggin, pritet të takohet me Princin Mohammed të Arabisë Saudite

14.06.2022 15:30

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta bëjë udhëtimin e parë si shef i Shtëpisë së Bardhë në Lindje të Mesme muajin e ardhshëm, me ç’rast do t’i vizitojë Izraelin, Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Arabinë Saudite, njoftoi të martën qeveria amerikane.

Bideni planifikon që të takohet me Princin Mohammed bin Salman, de fakto udhëheqës i Arabisë Saudite, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane, i cili i informoi gazetarët në kushte anonimiteti. Sipas zyrtarëve të inteligjencës amerikane, Princi Mohammed, me gjasë, kishte dhënë urdhër për vrasjen mizore të gazetarit saudit me banim në ShBA, Jamal Khashoggi.

Pas ardhjes së Bidenit në pushtet, administrata e re kishte bërë të qartë se presidenti do ta shmange angazhimin e drejtpërdrejtë me princin dhe, në vend të kësaj, do të përqendrohet tek angazhimi me Mbretin Salman.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe disa demokratë ia kanë tërhequr vërejtjen Bidenit për vizitimin e shtetit të pasur me naftë, duke thënë se një vizitë e tillë, pa marrë paraprakisht zotime për të drejtat e njeriut, do ta dërgonte porosinë tek udhëheqësit sauditë se nuk ka pasoja për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Sauditët janë akuzuar për arrestime masive, ekzekutime dhe dhunë për shtypjen e pakënaqësisë.

Megjithatë, kur çmimet e naftës janë ngritur shumë, kur është shtuar shqetësimi për programin bërthamor të Iranit dhe kur ka shqetësim për zgjerimin e zonës globale të ndikimit të Kinës, presidenti amerikan dhe ekipi i tij për siguri kombëtare kanë vlerësuar se përjashtimi i sauditëve, sidomos përjashtimi i princit, thjesht nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara.

Ambasada saudite në Uashington tha se Bideni do të takohet edhe me Mbretin Salman, edhe me Princin Mohammed dhe e përshkroi vizitën si ngjarje me ftesë të Mbretit Salman “për t’i fuqizuar raportet historike dypalëshe dhe bashkëpunimin e dalluar strategjik” mes dy vendeve.

Vendndalimi i parë i presidentit amerikan gjatë kësaj vizite do të jetë Izraeli për t’u takuar me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett, në Jerusalem. Më pas, ai do të takohet me udhëheqësit e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor. Presidenti do ta përfundojë udhëtimin në Jeddah të Arabisë Saudite, ku do të takohet me udhëheqësit më të lartë shtetërorë./Nacionale

Tjera nga autori:
1